27 Dhjetor, 2022 - 11:44 am
Kaltrina Begzati është rritur në shtëpi azilkërkuesish në Gjermani, sot inxhiniere trenash në kompaninë e madhe zvicerane për prodhimin e trenave.
Kaltrina Begzati është një inxhiniere e re që udhëheq projekte në firmën e njohur zvicerane të prodhimit të trenave Stadlerrail. Ajo është rritur e shkolluar në Gjermani, por ëndrrën e saj po e jeton në Zvicër. Kaltrina është mbase inxhinieria e vetme shqiptare në këtë fushë në Zvicër, ku bashkë me inxhinierin tjetër shqiptar, Kushtrim Ajvazi janë pjesë e një stafi të madh inxhinierësh e projektuesish të prodhimit të trenave në firmën e njohur Stadrail në St. Margrethen.
Albinfo.ch sjell portretet e dy inxhinierëve të rinj, të cilët flasin për profesionin e tyre dhe rrugën që kanë ndjekur deri në realizimin ëndrrës së tyre për t’u bërë inxhinierë, lidhjen me Kosovën dhe zhvillimin hekurudhorë atje.
Famlja e Kaltrinës ka jetuar një kohë në një shtëpi refugjatësh, aty ku Kaltrina ka kujtimet e para të fëmijërisë së saj në Gjermani.
“Unë u rrita si një fëmijë refugjat në një shtëpi për azilkërkuesit në Gjermani. Prindërit e mi kanë qenë gjithmonë model i shkëlqyer për sa i përket jetës. Ata më treguan se me angazhim të madh në jetë mund të arrish gjithçka. E dija qysh herët që doja të studioja inxhinieri mekanike për t’u bërë inxhiniere”.
Në aspektin profesional ajo është adaptuar shpejt dhe ka fituar terren në Zvicër përmes pozitës në përpunimin e porosive teknike në industrinë hekurudhore në firmën Stadler. Kaltrina ka studiuar në qytetin e Konstancës drejtimin e inxhinierise dhe është fituese e çmimit “Zonta Women Business”
“Si inxhinier projekti unë shoqëroj projektin përkatës (SBB) nga faza e konceptit deri në prodhimin e automjeteve duke përfshirë sigurimin e cilësisë deri në testet e tipit dhe miratimin”, tregon ajo për albinfo.ch për punën që bën si inxhiniere.
“Kapërcimi i problemeve nga fusha të ndryshme është pjesë e rutinës së përditshme në këtë punë, që do të thotë se aftësitë e mia komunikuese dhe aftësia për të gjetur zgjidhje në fazën e konceptit, prodhimit, testimi dhe miratimi janë vendimtare për të zhvilluar deri në fund një projekt”.
Stadler është i vetmi prodhues i trenave në Zvicër. Përveç Stadler në treg ka edhe kompani të tjera të jashtme nga ky sektor, si Bombadier, Siemens etj. “Ajo që e bën Stadler kaq të veçantë është se ne jemi shumë fleksibël kur bëhet fjalë për nevojat e klientëve. Kompania përpiqet të bëjë të mundur plotësimin e çdo dëshire, për sa kohë që nuk bie ndesh me miratimin. Përveç kësaj, trenat kanë disponueshmëri shumë të mirë në krahasim me konkurrentët e tyre dhe për këtë arsye janë mbresëlënëse për sa i përket performancës së tyre”, Kaltrina Begzati.
Rreth asaj se si fillon një projekt i prodhimit të një treni, sa zgjatë dhe cilat procedura ndjekin, ndiqen, Kaltrina thotë se në varësi të mënyrës se si palët kanë rënë dakord kontraktualisht dhe nëse është një zhvillim i ri, tenderimi deri në dhënien e kontratës zgjatë përafërsisht një vit. Nga faza e konceptit deri në prodhim rreth 1.5 vjet. Përafërsisht një vit nga prodhimi deri në miratim.
A mund të përfitojë Kosova nga përvoja e inxhinierëve shqiptarë të cilët po dëshmohen në kompani të njohura botërore, pyesim inxhinieren?
Kaltrina Begzati:
Fatkeqësisht, nuk është shumë e mundur në një kohë afatshkurtër, pasi duhet menduar në aspektin afatgjatë industrinë hekurudhore.
Në parim, Kosova duhet t’i bëjë vetes disa pyetje.
Kontakti i hekurudhës së rrotave: Çfarë gjerësie binarësh dua (standardi i fiksuar nga BE?)
Dua trena elektrikë apo disa me motorë dizel? Nëse duam elektrikë, a kam edhe energji të mjaftueshme në dispozicion?
(Me rrjetin që është aktualisht në dispozicion në Kosovë, i gjithë furnizimi me energji elektrike do të shembet për trenat elektrikë që ushqehen nga linjat ajrore, por as trenat me naftë nuk janë zgjidhja afatgjatë).
Nëse Kosova dhe Shqipëria aspirojnë të anëtarësohen në BE, duhet të respektojnë ligjet evropiane për industrinë hekurudhore që në fillim, përndryshe do të duhet të rindërtojnë shumë më pas. Për shembull, TSI (Specifikimet Teknike për Ndëroperabilitetin) përshkruan se si duhet të duken stacionet e trenave. Sa të larta duhet të jenë platformat? Nëse specifikohet, ato duhet të jenë në të njëjtën lartësi në çdo ndalesë (të matura nga maja e shinave deri në platformë)./ Albinfo.ch / KultPlus.com