20 Janar, 2021 - 5:52 pm
Nënpresidentja e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris, bëri betimin në pozitën e re. Harris është nënpresidentja e parë grua dhe me ngjyrë në historinë e SHBA-së.
Ajo bëri betimin para gjykatëses së Gjykatës Supreme, Sonia Sotomayor.
Pak orë para se të bëj betimin, Harris nderoi gratë që, siç tha, kanë ardhur para saj.
“Unë jam këtu sot për shkak të grave që erdhën para meje”, shkroi Harris në Twitter.
Në një video shoqëruese, ajo përmendi nënën e saj, gratë me ngjyrë, gratë aziatike, të bardha, latine, autoktone, të cilat tha se “kanë shtruar rrugën për këtë moment”.
Harris, 56 vjeçe, ish-prokurore e Përgjithshme e Kalifornisë ka mbështetur shumë politika të favorizuara nga krahu më i moderuar i Partisë Demokrate që Biden përfaqëson, edhe pse historiku i saj për disa çështje që kanë të bëjnë me krimet dhe çështjet e drogës kanë zemëruar personat me pikëpamje më të moderuara dhe liberale.
Prejardhja e saj e përzier etnike i ka shkuar Harrisit në favor. Çështja e racizmit ishte një nga temat që dominuan fushatën e vitit 2020, pas vdekjes së një personi në ngjyrë teksa po arrestohej nga policia në Minesota – ngjarje kjo që nxiti protesta mbarëkombëtare dhe thirrje që të bëhen reforma në sektorin e sigurisë.
Pozita e nënpresidentes, i jep një shtysë Kamala Harris për një nominim për presidente nga partia e saj për zgjedhjet e vitit 2024, nëse Biden – nuk do të dëshirojë që të kandidojë edhe për një mandat të dytë presidencial. / KultPlus.com