6 Nëntor, 2020 - 12:59 pm
Muaji i Pavarësisë së Shqipërisë, në Amerikë çdo vit shënohet me aktivitete të ndryshme kulturore-artistike në çdo vend ku ka shqiptarë.
Kompania Shqiptare “Protect Dismantling”, e njëjta kompani që kontribuoi për projektin e Nëna Terezës, të vendosur në Brooklyn, New York, me pronarë dy djem nga Dibra e Madhe në SHBA, Belul Qoku dhe Murat Marke, kanë gjetur mënyrën e tyre origjinale për të treguar krenarinë shqiptare në rrugët e New York-ut në çdo përvjetor të Pavarësisë së Shqipërisë.
Siç shihet edhe në këto fotografi, kamionët janë të lyer me ngjyrë të kuqe, ndërsa mbi kapakun e madh të mbulesës së motorit të këtyre kamionëve është vendosur një shqiponjë e zezë e madhe sa e gjithë pjesa e përparme e motorit të kamionit.
Kamionët me ngjyrë të kuqe dhe me një shqiponjë të zezë, e madhe sa e gjithë mbulesa e kamionit, kanë nisur mbarë muajin e Nëntorit të pavarësisë së Shqipërisë nëpër rrugët e New York-ut, duke i rënë borisë dhe lajmëruar amerikanët se shqiptarët këtë muaj kanë festë, është Nëntori Kuq e Zi, 28 Nëntori i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Kompania Shqiptare “Protect Dismantling” i ka të gjithë kamionët e biznesit të tyre të lyer krejt me ngjyrat e flamurit tonë kombëtar, flamurin kuq e zi dhe në mes të tyre kanë vendosur shqiponjën e zezë dykrenare, si dhe në zyrat e saj sot kudo është vendosur flamuri kuq e zi.
“Ata janë disa kamionë të peshave të rënda, që pothuajse mund t’i shohësh gati çdo ditë pune në rrugët e Brooklinit dhe qytetet tjera të New York-ut të lëvizin lirshëm nëpër kantiere ndërtimi”, ka njoftuar Beqir Sina. /KultPlus.com