12 Prill, 2025 - 1:00 pm
Përmeti mikpriti për herë të 8-të Kampionatin Kombëtar të Rafting 2025 në lumin e fundit të egër të Europës – Vjosa duke e kthyer për dy ditë me radhë, në datat 11 dhe 12 prill, në shtëpinë e sportistëve amatorë e profesionistë të cilët lundruan dhe konkurruan për çmimin e madh.
Nën kujdesin e veçantë të Bashkisë Përmet, ky eveniment kombëtar u zhvillua nga Federata Shqiptare e Rafting dhe merrnin pjesë 8 ekipe nga lumenjtë , Vjosa, Osumi, Drini të Zi, Bënçë, Bistricë, Shkumbini dhe Drinos.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro theksoi se “ky kampionat në Përmet dhe trajnimet e guidave të reja, janë një prej atyre ngjarjeve me nivel të lartë profesionalizmi dhe shumë domethënëse për zhvillimin e qëndrueshëm dhe gjithëvjetor”.
Kampionati Kombëtar për Rafting 2025 shënoi një nivel të ri konkurrence dhe bashkëpunimi në ujërat e Vjosës Edicioni i 8-të i Kampionatit Kombëtar Shqiptar të Rafting, i zhvilluar në Përmet, shënoi një hap të rëndësishëm për zhvillimin e sporteve ujore në Shqipëri.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Rafting, Zamo Spathara, u shpreh se profesionalizmi, gara dhe miqësia mes skuadrave e ngritën nivelin e këtij edicioni.
Krahasuar me vitet e mëparshme, ky edicion ishte dukshëm më konkurrues dhe me një pjesëmarrje më të gjerë ekipesh nga të gjitha trevat, falë edhe organizimit paralel me javën stërvitore për guidat e reja të rafting.
Vjosa – lumi i fundit i egër i Europës – ofroi një skenë perfekte për garat, veçanërisht në muajin prill, kur niveli i ujit është optimal për rafting.
Spektakli nisi me një start masiv dhe dinamik, ku ekipet u hodhën në ujë me gomone dhe garuan krah për krah në një kurs teknikisht sfidues, që kulmoi me një përballje emocionuese në segmentin poshtë urës së qytetit të Përmetit.
Kjo ngjarje përmbylli me sukses katër ditët intensive të stërvitjes dhe garës. Ambicia e radhës për Federatën Shqiptare të Rafting është ngritja e një kampi të përhershëm për rafting në qytetin e Përmetit, i pajisur me porta sllallomi, për të rritur kapacitetin organizativ dhe konkurrues të sportit në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Lumi Vjosa, me rrjedhën e tij të qëndrueshme gjatë gjithë vitit, ofron potencialin ideal për këtë vizion.
Fitues i parë i Kampionatit u shpall Vjosa me kapiten Aldo Sakollari, lumi Bënça në vend të dytë me kapiten Pajtim Vraniçin dhe Vjosa 2 në vend të tretë me kapiten Jonas Ibrahimin./ KultPlus.com