18 Shtator, 2021 - 2:31 pm
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se do të përfshijë në Forcat e Armatosura të Shqipërisë dy kampionet olimpike të Kosovës, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, ky vendim është përshëndetur nga Agron Kuka, president i Federatës së Xhudos së Kosovës.
Kuka tha se vendimi i Qeverisë Shqiptare është privilegj dhe nderë i veçantë për garueset e tij dhe Federatën e Xhudos së Kosovës.
Kuka tregon se mbështetja e shtetit shqiptar është edhe në aspektet tjera.
“Propozimi i kryeministrit shqiptarë dhe vendimi i qeverisë shqiptare që kampionet tona olimpike të përfshihen në Forcat e Armatosura Shqiptare është privilegj dhe nder i veçantë për garueset tona dhe federatën tonë.
Përveç kësaj nuk është hera e parë që institucionet e shtetit amë na kanë mbështetë nderuar e edhe dekoruar sportistët por edhe trajnerin Driton Kuka”, – thotë Agron Kuka për gazetën kombëtare “Bota sot”, transmeton KultPlus.
Më tej tregon edhe për mbështetjen tjetër të rëndësisë së veçantë, që i kanë tejkaluar pengesat që kanë hasur me disa shtete.
“Mbështetja tjetër e rëndësisë së veçantë nga Shqipëria për federatën tonë ka ardhur edhe me pajisjen e sportistëve tanë me shtetësi shqiptare.
Me këtë ne kemi tejkaluar pengesat që kemi hasur në shtete të ndryshme që se njohin pasaportën kosovare.
Andaj si kryetar i federatës së xhudos e vlerësoj lartë vendimin e kryeministrit Edi Rama si dhe gjitha institucionet tjera shqiptare për mbështetjen. Veprimet e tilla eliminojnë barrierat ndërshqiptare e jo retorikat e zbrazëta”, shprehet Kuka. /botasot/ KultPlus.com