15 Tetor, 2020 - 5:53 pm
Boksieri i cili ngriti emrin e Kosovës në kampionatin botëror, Robin Krasniqi ka lënë titujt e fitores së fundit të tij në Prekazin heroik, duke thënë se ky është një borxh ndaj familjes Jashari, shkruan KultPlus.
Krasniqi e ka bërë të ditur në konferencën për media se do t’i dërgoj titujt aty për nder të sakrificës së familjes Jashari.
“Është obligim për mua që këta tituj ti dërgoj edhe në Prekaz, sepse ndihem shumë borxhli për ta. Ndihem shumë i vogël para atyre që kanë flijuar jetën për këtë vend. I përkulem gjithmonë atij vendi”, ka thënë Krasniqi.
Kampionin botëror e ka pritur kryetari i Komunës së Skenderajit, Bekim Jashari i cili e ka falenderuar Krasniqin për respektin e dhënë ndaj familjes së tyre.
“Si Kryetar i Komunës në seancën e radhës do t’i propozoj Kuvendit të Komunës që kampionin e botës Haxhi Krasniqi të shpallim qytetar nderi të qytetit tonë historik, në shenjë mirënjohje e falënderimi për suksesin e arritur në arenën ndërkombëtare”, ka shkruar Bekim Jashari në profilin e tij në facebook.
Robin Krasniqi është shqiptari i parë që ka arritur të fitojë dy titujt e mëdhenj, për t’u shpallur kështu kampion bote në peshat gjysmë të rënda në kategoritë IBO dhe WBA.
Haxhi Krasniqi ka arritur ta mposht me nokaut pas vetëm tre raundesh Dominic Boesel në meçin e zhvilluar në GETEC Arena në Magdeburg të Gjermanisë./ KultPlus.com