6 Tetor, 2023 - 5:30 pm
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti takoi kampionin botëror të shahut, shkrimtarin dhe aktivistin për të drejtat e njeriut, Garry Kasparov.
Së bashku ata kanë vizituar një nga muzetë më të veçantë në vend, Muzeun Kombëtar “Shtëpia me gjethe”, një dëshmi e përndjekjes dhe mbijetesës nën diktaturë.
Garry Kasparov është mjeshtër i madh i shahut dhe ish kampion bote në këtë disiplinë. Gjithashtu ai është aktivist politik dhe shkrimtar. Që nga 1984 e deri në 2005 kur u tërhoq, Kasparov ishte kampioni i padiskutueshëm në nivel botëror. Ai u bë kampioni më i ri botëror në moshën 22-vjeçare kur mundi kampionin e atëhershëm Anatoly Karpov, me të cilin e mbrojti titullin tri herë, në 1986, 1987 dhe 1990.
Që kur u tërhoq nga shahu, Kasparov ia ka dedikuar kohën e tij të shkruarit, politikës dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Me rastin e vizitës në Tiranë, Garry Kasparov është njohur me projektet e Ministrisë së Kulturës për ngritjen e të tjera vendeve të kujtesës.
Ndërtesa e njohur si ‘Shtëpia me gjethe’ (e quajtur kështu për shkak të bimës kacavjerrëse që mbulonte fasadën e saj), është kthyer tashmë në Muzeun Kombëtar të Përgjimeve. I hapur më 23 Maj 2017, ai është një nga muzetë më të veçantë që përpiqet t’u rrëfejë të rinjve dhe të huajve një nga periudhat më të errëta të historisë së vendit.
Muzeu është konceptuar në 9 seksione, gjithsej 31 dhoma të lidhura me koherencë mes tyre dhe çdo dhomë ka një funksion të veçantë./KultPlus.com