31 Tetor, 2023 - 8:17 pm
Kampioni shqiptar i karatesë, Alvin Karaqi mori “Yllin e Mirënjohjes Publike” të akorduar nga kryeministri Edi Rama. Në ceremoninë e zhvilluar këtë të martë, Karaqi meritoi mirënjohjen pasi në qershorin e këtij viti fitoi medaljen e artë në Kampionatin Evropian të Karatesë zhvilluar në Poloni, duke nderuar himnin shqiptar dhe ngritur sipër flamurin kuqezi.
Në finalen e 23 qershorit 2023, Karaqi triumfoi ndaj holandezit Brian Timmermans, me rezultatin 3:2, për të ngritur flamurin kuqezi dhe marrë medaljen e artë.
Në fjalën e tij, kryeministri Rama tha se Karaqi është një shembull që fle dhe zgjohet me idenë sesi të bëjë mjekun e mirë në Zvicër dhe sesi të ngrejë flamurin kuqezi në karate.
“Është një shembull i jashtëzakonshëm për të gjithë, vajzat dhe djemtë e Atdheut tonë. Alvini është një kampion që ka një veçanti të madhe, ndërkohë që ngjitet në majën e sportit të tij, është edhe një shërbëtor i palodhur i shëndetit të njerëzve në Zvicër, ku standartet janë nga më të lartat në botë. Në këtë të dytën nuk ka medalje, por jam i bindur që edhe sikur të kishte, nuk do ishte çudi që Alvini edhe aty të merrte medalje ari. Është një shembull frymëzues për këdo, që në rrugë e pasionit duhet të sakrifikojë, paçka mundit dhe vështirësive. Jeton, merr frymë dhe ushqehet me idenë për t’u ngjitur në majë dhe të jetë fitimtar. Dashuria e tij pasionante për atdheun dhe të jetuarit me flamurin kuqezi, si një lëkurë të dytë, kjo e shënon Alvinin”, tha Rama.
Në fjalën e tij, 30-vjeçari s’ka mundur t’i mbajë lotët, teksa ka thënë se dita kur i ofruan mbajtjen e flamurit kuqezi në ceremoninë hapëse të Kampionatit Evropian, u ndje si Gjergj Kastrioti.
“Dita kur mora flamurin për të përfaqësuar Shqipërinë në ceremoninë e hapjes, aty ishte medalje ime. Për besë u ndjeva si Gjergj Kastrioti. Faleminderit të gjithëve që më keni ndihmuar, familja, trajneri. Kemi një histori në sport, duket të luftojmë që kjo shqiponjë të jetë krenare. Veç kushteve, duhet edhe ndjenja që i japim njëri-tjetrit. Unë nuk e përjetova medaljen, sepse kur e fitova shkova në punë në spital. Më falni për këto emocione, por uroj që sportistët dhe ata të karatesë ta përjetojnë këtë ndjenjë që po ndjej unë tani”, tha Karaqi mes lotësh./shqiptarja.com