14 Gusht, 2020 - 1:25 pm
Kanionet e Osumit janë një perlë e natyrës, një destinacion turistik që duhet vizituar, ku të apasionuarit e turizmit të aventurës kanë mundësi të zhvillojnë edhe shëtitjet profesionale me rafting, ose hiking.
Zv/ Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Ornela Çuçi, duke publikuar foto nga ky kanion, shprehet se “Kanioni i Osumit, është më i madhi në gjithë vendin dhe është emërtuar Grand Canyon i Shqipërisë”.
“Kanioni është krijuar prej forcave gërryese dhe tretëse të lumit Osum, të ushtruara në masën shkëmbore gëlqerore të strukturës antiklinale të Çorovodës dhe është rreth 13 km i gjatë, nga 4 deri në 35 metra i gjerë, i thellë rreth 80 metra, me shpate vertikale.Koha e formimit të tij mendohet të jetë 2 deri në 3 milionë vite më parë”,- thekson Çuçi.
Kanionet e Osumit gjenden në aksin Çorovodë–Hambull, të luginës së Osumit.Në këtë kanion, çdo vit udhëtojnë me mijëra turistë vendas e të huaj, të cilët shijojnë natyrën, kulinarinë dhe sportin e bukur të rafting. /atsh/ KultPlus.com