Kantina e familjes Shehi në Vorë, destinacion për turistët vendas e të huajt

4 Janar, 2025 - 10:30 am

Vreshtaria dhe kantina familjare “Vila – Shehi”, e themeluar në vitin 1994 në Vorë, Tiranë, nisi rrugëtimin e saj me përkushtimin ndaj kultivimit dhe menaxhimit të vreshtit.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ndau sot në rrjetet sociale pamje nga kjo kantinë, e cila është shndërruar në një atraksion turistikë për vendasit e të huajt.

“Kjo kantinë është një destinacion i preferuar nga turistë vendas dhe të huaj, të cilët vijnë për të shijuar jo vetëm natyrën dhe mikpritjen, por edhe verërat artizanale, prodhuar me kujdes që nga konceptimi i vreshtarisë, përkujdesja, vjelja e deri tek servirja”, tha Denaj.

Ministrja Denaj u shpreh se “vizitorët kanë mundësi të njihen me varietetet autoktone të rrushit, si Shesh i Bardhë dhe Shesh i Zi, duke shijuar këto verëra, shoqëruar me produkte të zonës, si djathë i bardhë i shtëpisë (nape), perime të stinës, antipasta dhe pjata mishi nga pula dhe viçi të rritur në fermë”.

Familja Shehi trashëgonte prona të shumta të mbjella me vresht që nga viti 1967, aktualisht pranë kantinës është ngritur vreshti prej 2 ha, sot në rajonin e Vorës sipërfaqja e vreshtarisë është rreth 20 hektarë.

Kantina dhe vreshtaria “VilaShehi” është fituese e shumë çmimeve dhe pret turist nga e gjithë bota./ KultPlus.com

Të ngjajshme