2 Maj, 2023 - 3:04 pm
Mijëra skenaristë dhe tekstshkrues televiziv të Hollywood-it nisën një grevë pas dështimit të bisedimeve për pagat dhe kushtet me studiot e mëdha.
Kjo rrezikon seriozisht vënien në skenë të spektakleve, filmave dhe programeve të tjera, shumë të dashura për publikun. Greva e sindikatës “Writers Guild of America”, e para në 15 vitet e fundit, përfshin mbi 9 mijë skenaristë dhe tekstshkrues që do të lënë vendin e punës në shenjë proteste duke nisur nga mesnata e së martës. Efektin e menjëhershëm do ta përjetojnë spektaklet e mbrëmjes, që do të mbyllen të parat, ndërsa vonesa do të ketë edhe në publikimin e filmave dhe serialeve.
“Kam nevojë për skenaristët e mi. Pa ndihmën e tyre nuk mund ta realizoj spektaklin tim”, tha Jimmy Fallon, komedian dhe prezantues.
Në vitin 2007 u zhvillua një grevë e ngjashme për 100 ditë, që i shkaktoi industrisë një dëm prej 2 miliardë dollarësh. Por këtë herë, skenaristët po përplasen me producentët dhe regjisorët që përfaqësojnë studio e mëdha si Disney dhe Netflix, lidhur me kërkesat për paga më të larta dhe ndarje më të mirë të përfitimeve nga publikimi i materialeve në platformat moderne të transmetimit.
Një ndër kërkesat kryesore të sindikatës ishte që për një spektakël televiziv të angazhohen nga 6 deri në 12 skenaristë e tekstshkrues, gjithashtu të garantohet punësimi për një minimum javësh për sezon. Mes tjerash ishte dhe një kërkesë për përjashtimin e përfshirjes së Inteligjencës Artificiale në krijimin e skenareve dhe teksteve, por që u refuzua nga studiot e mëdha në negociatat që zgjatën 6 javë. / a2cnn / KultPlus.com