1 Shtator, 2020 - 10:00 pm
Fotografi Arian Mavriqi ka arritur të shkrepë foto të një prej specieve që është e rrezikuar për zhdukje, ulkonjës së zezë.
Në profilin e tij në Facebook ai ka publikuar disa prej fotove që i ka shkrepur sot.
“Ulkonja e zezë (specie e rrezikuar për zhdukje)! Fotografitë që po i shihni i realizova sot gjatë një rutine në kërkim të fotografive nga bota e egër sa ishim bashkë me shokun Besnik Jakupi në Komunën e Kamenicës (lokacionin e saktë e mbajmë të fshehtë shkaku i gjahtarëve) dhe momentin që e pamë ishim të mahnitur nga pamja shumë e bukur dhe shikimi kureshtar që bëri në drejtim tonin”, ka thënë Mavriqi.
Ai ka shprehur shqetësimin e tij rreth rrezikut që i kanoset ulkonjës së zezë, gjersa ka bërë thirrje që ajo të mbrohet edhe me ligj.
“Për fat të keq kjo specie kërkohet për t’u vrarë dhe për vendin tonë do ishte humbje e madhe nëse nuk mbrohet me ligj! Shpresojmë në vetëdijësimin e shoqërisë që të ruhen këto pasuri tonat sepse një bukuri të tillë në vendet tjera munden vetëm ta ëndërrojnë”, ka shkruar ai.