12 Shtator, 2024 - 11:46 am
Komedia “Karnavalet e Korçës” zbret në Teatrin Kombëtar nga data 15 deri më 22 shtator. Lajmin e ndau në rrjetet sociale edhe ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ku shkroi se “Karnavalet e Korçës” është një komedi me trajtim e spektakël dinamik e cila do sjellë në skenën e Arturbina një gërshetim midis komedisë e serenatava gjithë ajër “pe Korçe”.
Komedia, sipas motiveve të Spiro Çomorës, vjen me regji nga Erion Isai dhe sapo u shpall fituesja e festivalit “Koko Fest 2024”, i zhvilluar në qytetin e Korçës.
“Karnavalet e Korçës” e trupës së Teatrit “Andon Z.Çajupi” u vlerësua si shfaqja më e mirë në edicionin e 11-të të Festivalit Mbarëkombëtar të Komedisë. Komedia ishte në program në natën e fundit të festivalit dhe mori duartrokitjet e vlerësimet e publikut, të cilit i solli të qeshura pa fund./atsh/KultPlus.com