18 Shkurt, 2025 - 10:02 am
Qyteti i Shkodrës është në periudhën e tij më magjike, atë të karnavaleve. Prej ditës së djeshme në Shkodër kanë nisur paradat të cilat ia shtojnë gjallërinë edhe Kalasë së Rozafës, ku mes legjendave dhe mureve të lashta të rinjtë e të rejat e qytetit kanë shpalosur kreativitetin e tyre.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ndau në rrjetet sociale pamje të një qyteti që feston me ngjyra, traditë dhe shpirt artistik.
“Këtë vit, mjeshtëria e artizanatit vjen në duart e studentëve të rinj të shkollës profesionale “Hamdi Bushati”, të cilët me pasion dhe kreativitet po rikthejnë në jetë kostumet dhe maskat e dikurshme”, u shpreh ministri Gonxhja.
Ministri i konsideroi karnavalet, një trashëgimi që vijon të jetojë, falë duarve të talentuara të këtyre të rinjve.
Paradat e karnavaleve të Shkodrës nisën dje dhe do të vijojnë deri më 23 shkurt.
Atmosfera festive ka nisur me interpretimet e shkollave të qytetit, ku fëmijët, të shndërruar në personazhe të ndryshme, kanë dhuruar spektakël dhe gëzim në rrugët e qytetit. Parada madhështore, koncerte dhe performanca artistike do të shoqërojnë qytetin për shtatë ditë, duke ruajtur traditën e pasur kulturore dhe duke e kthyer Shkodrën në një destinacion të vërtetë festash./atsh/KultPlus.com