11 Nëntor, 2022 - 2:28 pm
Botërori i këtij viti do të zhvillohet në Katar nga data 20 nëntor deri më 18 dhjetor. Është hera e parë në historinë e këtij kompeticioni, që një turne zhvillohet në stinën e dimrin, duke imponuar ndërprerjen për gati 2 muaj të gjithë kampionateve të mëdha evropiane.
Që nga vendimi, organizimi dhe në fund mbajtja e Kupës së Botës, ka shumë pikëpyetje dhe jo pak mistere që rrethojnë FIFA-n dhe Katarin, i cili ia arriti qëllimit përmes korrupsionit, lojërave politike, skandaleve dhe mijëra të vdekurve në punë.
Duke filluar që me Muhamed bin Hamam. Ish-anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s dhe ish-president i Konfederatës Aziatike të Futbollit (AFC). I hetuar 2 herë nga organizata botërore e futbollit, fillimisht për korrupsion – në vitin 2011 tentoi të “blinte” presidencën e FIFA-s përmes zarfeve me nga 40 mijë euro ryshfet – dhe më pas për konflikt interesi (para majit të vitit 2011 askush nuk ishte dakord që bin Hamam të ishte si president i AFC, ashtuedhe anëtar i ekzekutivit të FIFA-s).
Në vitin 2014, britanikja “The Sunday Times” pretendoi se kishte zbuluar disa ryshfete me vlerë 5 milionë dollarë, pikërisht në lidhje me kandidimin dhe zgjedhjen më pas të Katarit si vendi pritës i Kupës së Botës 2022. Por a ia vlen botërori gjithë këto shkelje?
Kështu mund të mendojnë Mishel Platini dhe ish-presidenti francez Nikolas Sarkozi. Më 23 nëntor 2010, Tamim bin Hamad Al Thani – që në vitin 2013 do të bëhet Emir i Katarit – dhe të tjerë drekuan së bashku në Elize, si të ftuar të kreut francez të shtetit.
Ndër të tjera aty u diskutua edhe për blerjen e ekipit të Paris Saint-Germain nga kompania “Qatar Sport Investment”, dhe themelimi i një kanali të ri sportiv. Fakt është se 9 ditë më vonë, Platini do të votojë në komitetit ekzekutivin e FIFA-s në favor të zhvillimit të botërorit në këtë Emirat.
Ndërkohë vitin 2019, Platini u arrestua dhe u mor në pyetje për korrupsion, për shkak të disa konsultimeve të paguara nga FIFA në favor të tij, me vlerë 2 milionë franga zvicerane. Përfitimet kishin ndodhur ndërmjet viteve 1999–2003, por që rastësisht ishin paguar në shkurtin e vitit 2011.
Dy protagonistët e fundit të historisë janë Naser Al-Khelaifi, president i PSG-së dhe Zherom Valcke, sekretar i përgjithshëm i FIFA-s deri në vitin 2016. Arma e krimit:një vilë në Costa Smeralda. Sipërmarrësi nga Katari bleu në vitin 2013 Villa Bianca, ish-rezidencën e Lele Mora.
Këtu përmes një kompanie panameze off–shore, hyn në lojë Valcke, që e mori me qira vilën për shumën 96 mijë euro në vit. Pak kohë më vonë, rrjeti shtetëror BeIN bleu të drejtat për Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme të edicioneve 2026 dhe 2030 të Kupës së Botës me një shifër qesharake dhe shumë të dyshimtë:vetëm 480 milionë dollarë. Dyshimi, i lindur nga një investigim i “L’Espresso”, është se në lojë ishte programi dimëror i këtij kompeticioni.
Mijëra të vdekurit gjatë punimeve për stadiumet e reja
Në fund të këtij turneu të madh, ata do të humbasin më shumë do të jenë njerëzit e zakonshëm. Sipas britanikes “The Guardian”, mesatarisht 12 punëtorë emigrantë nga India, Bangladeshi, Nepali dhe Sri Lanka kanë vdekur çdo javë që nga dhjetori i vitit 2010, qëkur Doha u shpall organizatore e botërorit të këtij viti.
Janë 5927 të ashtuquajturit “skllevërit modernë”, që kanë humbur jetën midis viteve 2011–2020. Sipas ambasadës pakistaneze në Katar, 824 punëtorë të vdekur duhet të shtohen në këtëllogari gjatë 10 viteve të fundit për përshtatjen dhe ndërtimin e stadiumeve të reja.
Në fakt numri i vërtetë i viktimave është dhe më i lartë, sepse deri më sot nuk mund të numërohen ende me saktësi emigrantët e shumtë nga Filipinet dhe Kenia, që kërkojnë një punë, e cila në fund u merr jetën.
Shtatë stadiume të reja, një aeroport, rrugë, transport publik, një hotel dhe madje një qytet krejtësisht i ri, që do të presë finalen e Kupës së Botës. Që të gjitha punime të kryera në më pak se 12 vjet, me çmimin e jetëve njerëzore të shfrytëzuara pa rënë në sy, dhe mbi të gjitha nën sytë e të gjithëve. Edhe nëse besoni (apo besojmë) se jemi të pafajshëm në këtë tragjedi, të gjithë janë fajtorë me heshtjen e tyre. / Opinione.it / KultPlus.com