24 Maj, 2022 - 8:57 am
Duke pushtuar Ukrainën, Vladimir Putini do të shkatërrojë jetët e njerëzve larg fushës së betejës – dhe në një shkallë që edhe ai mund të pendohet.
Lufta po godet një sistem global ushqimor të dobësuar tashmë nga Covid-19, ndryshimi i klimës dhe një goditje e tregjeve energjetike. Eksportet e drithit dhe farave vajore të Ukrainës pothuajse janë ndalur dhe ato të Rusisë janë të rrezikuara. Së bashku, të dy vendet furnizojnë 12% të kalorive të tregtuara. Çmimet e grurit, të cilët qenë rritur me 53% që nga fillimi i vitit, u rritën me 6% më 16 maj, pasi India bëri të ditur se do të pezullonte eksportet për shkak të një vale alarmante të të nxehtit.
Ideja e pranuar gjerësisht e një krize të kostos së jetesës as nuk rrok dot peshën e asaj që mund të presim. Antonio Guterres, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, paralajmëroi më 18 maj se muajt e ardhshëm kërcënohen nga “spektri i mungesës globale të ushqimit”, që mund të zgjasë me vite. Kostoja e lartë e ushqimeve bazë ka rritur tashmë me 440 milion, numrin e njerëzve që nuk mund të jenë të sigurt se kanë për të ngrënë mjaftueshëm, ky numër tashmë është 1.6 miliardë. Gati 250 milionë janë në prag të urisë. Nëse, siç ka të ngjarë, lufta zvarritet dhe furnizimet nga Rusia dhe Ukraina janë të kufizuara, qindra miliona njerëz të tjerë mund të bien në varfëri. Trazirat politike do të përhapen, fëmijët do të mbeten të pazhvilluar dhe njerëzit do të vdesin nga uria.
Zoti Putin nuk duhet ta përdorë ushqimin si armë. Mungesat nuk janë rezultat i pashmangshëm i luftës. Udhëheqësit botërorë duhet ta shohin urinë si një problem global që kërkon urgjentisht një zgjidhje globale.
Rusia dhe Ukraina furnizojnë 28% të tregtisë globale të grurit, 29% të elbit, 15% të misrit dhe 75% të vajit të lulediellit. Rusia dhe Ukraina kontribuojnë rreth gjysmën e drithërave të importuara nga Libani dhe Tunizia; për Libinë dhe Egjiptin shifra është dy të tretat.
Eksportet e ushqimit të Ukrainës ofrojnë kalori për të ushqyer 400 milion njerëz. Lufta po i ndërpret këto furnizime sepse Ukraina ka minuar ujërat e saj për të penguar një sulm, dhe Rusia po bllokon portin e Odessas.
Edhe para pushtimit, Programi Botëror i Ushqimit kishte paralajmëruar se viti 2022 do të ishte një vit i tmerrshëm. Kina, prodhuesi më i madh i grurit, ka thënë se, pas shirave që vonuan mbjelljen vitin e kaluar, kjo kulturë mund të jetë në situatën më të keqe ndonjëherë. Tani, përveç temperaturave ekstreme në Indi, prodhuesi i dytë më i madh në botë, mungesa e shiut kërcënon të zvogëlojë rendimentet në shporta të tjera të bukës, nga brezi i grurit të Amerikës deri në rajonin Beauce të Francës. Briri i Afrikës po shkatërrohet nga thatësira më e keqe në katër dekada. Mirë se vini në epokën e ndryshimeve klimatike.
E gjithë kjo do të ketë një efekt të rëndë mbi të varfërit. Familjet në ekonomitë në zhvillim shpenzojnë 25% të buxheteve të tyre për ushqim dhe në Afrikën Sub-Sahariane, deri në 40%. Në Egjipt buka siguron 30% të të gjitha kalorive. Në shumë vende importuese, qeveritë nuk mund të lejojnë subvencione për të rritur ndihmën ndaj të varfërve, veçanërisht nëse ato importojnë edhe energji – një treg tjetër në mes trazirash.
Kriza rrezikon të përkeqësohet. Ukraina kishte dërguar tashmë shumë nga prodhimet e verës së kaluar që përpara luftës. Rusia ende po arrin të shesë grurin e saj, pavarësisht kostove të shtuara dhe rreziqeve për transportuesit. Megjithatë, ato depo ukrainase që janë të padëmtuara nga luftimet, janë plot me misër dhe elb. Fermerët nuk kanë ku të ruajnë të korrat e tyre të ardhshme, që do të nisin në fund të qershorit, dhe për këtë arsye mund të kalben. Dhe atyre u mungon karburanti dhe krahu i punës, për të mbjellë pas kësaj. Rusisë, nga ana e saj, mund t’i mungojnë disa furnizime me fara dhe pesticide, që zakonisht i blen nga Bashkimi Evropian.
Pavarësisht rritjes së çmimeve të grurit, fermerët në vende të tjera në botë mund të mos e plotësojnë mungesën. Një arsye është se çmimet janë të paqëndrueshme. Më keq, marzhet e fitimit po tkurren, për shkak të rritjes së çmimeve të plehrave dhe energjisë. Këto janë kostot kryesore të fermerëve dhe të dy tregjet janë ndërprerë nga sanksionet dhe “përleshja” për gazin natyror. Nëse fermerët pakësojnë plehërimet, rendimentet globale do të jenë më të ulëta, në kohën e gabuar.
Përgjigja e politikanëve të shqetësuar mund të përkeqësojë një situatë tashmë të keqe. Që nga fillimi i luftës, 23 vende nga Kazakistani në Kuvajt kanë deklaruar kufizime të ashpra në eksportet e ushqimit, që mbulojnë 10% të kalorive të tregtuara globalisht. Më shumë se një e pesta e të gjitha eksporteve të plehrave janë limituar. Nëse tregtia ndalet, do të ketë zi buke.
Ka nisur tashmë një lojë fajësimi, në të cilën Perëndimi dënon Putinin për pushtimin, dhe Rusia dënon sanksionet perëndimore. Në të vërtetë, ndërprerjet janë kryesisht rezultat i pushtimit të Putinit dhe disa sanksione i kanë përkeqësuar ato. Debati mund të bëhet lehtësisht një justifikim për mosveprim. Ndërkohë shumë njerëz do të mbeten të uritur dhe disa do të vdesin.
Në vend të kësaj, shtetet duhet të veprojnë së bashku, duke filluar nga mbajtja e tregjeve të hapura. Këtë javë Indonezia, burim i 60% të vajit të palmës në botë, hoqi një ndalim të përkohshëm të eksporteve. Europa duhet të ndihmojë Ukrainën të dërgojë grurin e saj nëpërmjet hekurudhave dhe rrugëve, në portet e Rumanisë ose në Balltik, megjithëse edhe parashikimet më optimiste thonë se vetëm 20% e të korrave mund të rezultojnë në këtë mënyrë.
Edhe vendet importuese kanë nevojë për mbështetje, në mënyrë që të mos mbingarkohen nga faturat e mëdha. Furnizimet emergjente të grurit duhet të shkojnë vetëm për më të varfërit. Për të tjerët, financimi i importit me kushte të favorshme, ndoshta të siguruara përmes FMN, do të lejonte që dollarët e donatorëve të shkonin tjetërkund. Lehtësimi i borxhit mund të ndihmojë gjithashtu në lirimin e burimeve jetike.
Ka hapësirë për zëvendësim. Rreth 10% e të gjitha drithërave përdoren për prodhimin e biokarburanteve; dhe 18% e vajrave bimore shkojnë për biokarburante. Finlanda dhe Kroacia kanë hequr detyrimet që kërkojnë që nafta të përfshijë karburantin nga të korrat. Të tjerët duhet të ndjekin shembullin e tyre. Një sasi e madhe drithi përdoret për të ushqyer kafshët. Sipas Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë, drithi përbën 13% të ushqimit të thatë të bagëtive. Në vitin 2021 Kina importoi 28 milion ton misër për të ushqyer derrat, më shumë se eksportet e Ukrainës në një vit.
Një lehtësim i menjëhershëm do të vinte nga thyerja e bllokadës së Detit të Zi. Rreth 25 milion ton misër dhe grurë, ekuivalente me konsumin vjetor të të gjitha ekonomive më pak të zhvilluara të botës, janë bllokuar në Ukrainë. Tre vende duhet të hiqen mënjanë: Rusia duhet të lejojë transportin ukrainas; Ukraina duhet të çminojë rrugën pranë Odesës; dhe Turqia duhet të lejojë ngarkesat detare të kalojnë Bosforin.
Kjo nuk do të jetë e lehtë. Rusia, duke luftuar në fushën e betejës, po përpiqet të mbysë ekonominë e Ukrainës. Ukraina heziton të pastrojë minat e veta. Bindja e tyre për t’u dorëzuar do të jetë një detyrë për vendet, duke përfshirë Indinë dhe Kinën, që kanë qëndruar jashtë luftës. Ngarkesat mund të kërkojnë përcjellje përmes forcave të armatosura, të miratuara nga një koalicion i gjerë. Të ushqyerit e një bote të brishtë është punë e të gjithëve. / The Economist / KultPlus.com