22 Nëntor, 2023 - 9:00 am
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) ka mbështetur 4 kompani nga Kosova që po marrin pjesë në panairin e modës “IF Wedding Fashion Izmir Fair 2023”, përcjell KultPlus.
Kosova ka siguruar hapësirë për ekspozimin e punimeve prej 312 metra katror në panairin e modës në Izmir për “Walone Fashion Group”, “Minna”, “Drenusha Xharra” dhe “Tabja”.
Panairi iu shërben bizneseve vendore në krijimin e lidhjeve të reja dhe rritjen e eksportit, e që këtë vit Kosova ka shënuar rekord në eksport falë politikave mbështetëse ndaj bizneseve që i ka aplikuar Qeveria e Republikës së Kosovës.
Në panairin e modës, kompanitë nga Kosova do të realizojnë edhe takime B2B me investitorët dhe blerësit potencial për industrinë e tekstilit.
Në shtandin e Republikës së Kosovës janë të ekspozuara broshurat me informacione që tregojnë për klimën e të bërit biznes, potencialin dhe lehtësirat që ofron Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për investitorët potencial.
Po ashtu vizitorët po njoftohen për potencialin që ka Kosova sidomos në fushën e inovacionit dhe ndërmarrësisë, ku shumë biznese të huaja kanë hapur përfaqësitë për shkak të klimës së favorshme të të bërit biznes.
Panairi “IF Wedding Fashion Izmir FAIR 2023”, mbahet nga data 21 deri më 24 nëntor dhe Kosova është në mesin e 238 kompanive që po marrin pjesë nga e gjithë bota.
“Le të mbështesim talentët vendorë dhe t’i bëjmë emër në skenën ndërkombëtare!”, thuhet në njoftimin e ministrisë. / KultPlus.com