4 Prill, 2025 - 10:02 am
Sot janë bërë katër vite që prej ditës që presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është në krye të presidencës.
Përmes rrjeteve sociale, Osmani ka shpërndarë një video, ku janë mbledhur disa prej arritjeve më të mëdha gjatë mandatit të saj, duke e përfaqësuar denjësisht shtetin e Kosovës.
Në video, ajo ka përmendur momentin kur në seancën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ku ishte i pranishëm edhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq, ka shkuar bashkë me katër gratë heroina të Kosovës, të cilat janë të mbijetuara nga lufta e fundit në Kosovë.
“Viktimat e atij regjimi Vuçiq janë këtu, merr pak kohë kërko falje. Tregoju të gjithë nëse ke një shenjë të humanitetit që ka mbetur në ty”, ishte shprehur Osmani.
Tutje, në video Osmani ka treguar se presidenca e Kosovës asnjëherë nuk i ka pasur dyert më të hapura se sa në këtë mandat.
“Katër vjet në shërbim të qytetarëve. Katër vjet për Republikën! Katër vjet Presidente, betim i përjetshëm për Kosovën!”, ka shkruar Osmani sipër videos./KultPlus.com