6 Janar, 2020 - 11:30 am
Nga: Migjen Kelmendi
Nuk isha këndej dhe me vonesë e lexova nji artikull të nji gazetareje amatore se si po e (dez)informonte opinionin kosovar në gazetën Zëri, përmes artikullit “Përdhunuesit e gjuhës do të ndëshkohen me ligj”.
Jo se nuk isha i informuem për iniciativën, sepse miqtë e mi në Tiranë me kishin marrë në telefon menjihere dhe më kishin tregue për nji iniciativë të nji dore pleqsh komunistë, të cilët kanë pësue nji teptisje iracionale atavizmash enverian, dhe në vend se me u ballafaque me fuqinë e argumentit kundër tanë atyne që e kontestojnë Standardin e vitit 1972, kërkojnë me u kapë për ‘alltia’ pushtetare.
Dikush duket se edhe i gëzohet kësaj dhune, ose ma mirë me thanë dëshire për me i dhunue tanë ata që mendojnë dhe e kuptojnë e perceptojnë ndryshe ate që ndër ne asht ba zakon me u quejt “Gjuhë Shqipe”, në vend se “Standard i Shqipes”.
Dhe, keqkuptimi i parë mbrenda kulturës sonë lind nga keqkuptimi i kësaj fjale – “Gjuha Shqipe”.
Çka queni ju “Gjuhë Shqipe”?
Ose ndoshta këte pyetje duhet me ja adresue tanë kulturës shqiptare, e cila në vend se me u mundue me e demokratizue dhe me e ba publike këte pyetje dhe çashtje përmes debateve dhe nji diskutimi publik, don me iu bind inciativave të dofarë pleqve të rrokatun që në mungesë argumentesh, mendojnë se me kamxhi e me allti munden me i zgjidhë problemet në gjuhë.
Po le t’i kthehemi pyetjes: Çka queni ju “Gjuhë Shqipe”?
Nëse Gjuhë Shqipe ju queni Standardin e vitit 1972 (sic!), mendoj se bani nji nga gabimet ma të mëdha që nji kulturë mundet me ia ba vetvetes, e nji gjuhëtar mundet me ia ba kredos së vet profesionale.
Nëse me ligj ju mendoni se mundeni me e heshtue e me e nemit Gjuhën Amtare të katër milionë shqiptarëve tjerë, të cilët rastësisht shqipen e kanë të nji tingëllime e shqiptimi tjetër, mendoj se jeni tue e ba nji nga dhunimet ma të mëdha që dikush mundet me ia ba
këtyne njerëzve. Sepse, gjuha jemi na vetë. Ua ndalove atyne, neve, Gjuhën Amtare me ligj, ju automatikisht ua dhunoni nji nga të drejtata themelore njerëzore të tyne.
Por, nuk po due me u zgjatë, sepse iniciativa si e tillë duket joserioze dhe natyrisht se JAVA ka me e informue këte opinion thellësisht dhe thelbësisht për çkado që mundet me u shfaqë nga kjo iniciativë. Por, argument ma të fuqishëm se sa të paargumentuem e fragjilë janë në mbrojtjen e Standardit të vitit 1972 jo vetëm këta pleq të rrokatun, por edhe tanë tjerët që me heshtje i kontribuojnë kësaj, flet bash kjo iniciativë, e cila nuk ngritë argumente për mbrojtje por – dhunë.
Po sa për dhunë, më duhet me ua kujtue, jo vetëm këtyne pleqve andej, por edhe të gjithë tjerëve që mendojnë se dhuna asht zgjidhja e kësaj çashtje, se Enveri ka vdekë, se ky nuk asht viti 1972, dhe se çfarëdo iniciative nuk ka me mbetë pa u ba shoshë nga pyetjet dhe argumentet e kundërta të nji opinioni qytetarësh.
Çfarëdo iniciative e cila kishte me qenë ligjore në esencë, mundet me u kuptue vetëm mbasi së pari të ishte deblokue dhe detabuizue Standardi i vitit 1972, të kishte pasue nji debat i gjanë me participimin e tanë njerëzve t’interesuem (jo vetëm gjuhëtarësh), dhe vetëm mbasi t’ishin ballafaque argumentet “pro” dhe “contra” në nji diskutim transparent publik. Dhe, mbas tanë kësaj, kur nga ai debat t’ishin emanue vendimet dhe t’ishte ekstraktue nji si projektligj (i cili po ashtu kishte me ju nënshtrue nji debati të gjanë) në mbrotje të asaj që kishim me e quejt jo “Gjuha Shqipe”, po “Standardi i Gjuhës Shqipe”, atëhere mundeni me thanë se kjo asht iniciativë demokratike në shërbim të përgjithshëm.
Kështu si u prezentue, kjo s’asht tjetër pos vagabondizëm i pleqve të rrokatun kaplue atavizmash enverian. E ky standard i vitit 1972 s’ka shpëtim, veç vonim. Edhe nji argument shtesë jemi për këte asht – dhuna e kërkueme për me e mbrojtë standardin e vitit 1972!
(31 korrik 2003) / KultPlus.com