21 Maj, 2024 - 3:28 pm
Sapo është publikuar sllogani i edicionit të tetë të Javës së Krenarisë që do të mbahet në Prishtinë, dhe sivjet komuniteti i LGBTIQ+ ka përzgjedhë si sllogan ‘Kemi qenë dhe do t`jemi’ e që sipas organizatorëve ky sllogan është ‘kaq i vogël për ta përshkruar ndjenjën tonë të krenarisë, për atë çka jemi e për atë ku do të arrijmë, ku do të lartohemi’, shkruan KultPlus.
Më poshtë është njoftimi i plotë i këtij eventi që do të nisë më 3 qershor dhe do të zgjasë deri më 8 qershor.
Edicioni i tetë i Javës së Krenarisë në Kosovë është këtu!
Për neve, ta organizojmë Javën e Krenarisë në Kosovë nuk nënkupton vetëm festë: Java e Krenarisë, qysh prej edicionit historik të parë, i vë në hartë të gjithë ata individë që avokojnë çdo ditë për barazi, për gjithëpërfshirje, për të frymuar e për të qenë vetja në një vend ku të marrësh frymë nuk është e lehtë për asnjë.
Java e Krenarisë në Kosovë është një manifestim i vetes sonë, i kulturës sonë, i personalitetit tonë. Java e Krenarisë në Kosovë është një tjetër shpërfaqje e identiteve të cilat për vite e vite janë shtypur e kanë mbetur në hije, duke mos qenë asnjëherë në habitatin e tyre. Java e Krenarisë në Kosovë, edhe në këtë edicion të tetë nuk harron të jetë pasaporta kryesore e individëve LGBTIQ+ në Kosovë.
Kësaj here, po i fokusojmë sytë e veshët tanë sidomos në faktin që, përkundër përceptimit të përgjithshëm, ne kemi qenë gjithmonë këtu, njëjtë siç do të vazhdojmë të jemi. Akronimet për ne nuk janë shkronja, janë njerëz që bartin me vete mendje, përmbajtje, intelekt, aktivizëm, dëshira e ëndrra.
Sllogani ‘Kemi qenë dhe do t`jemi’ është kaq i vogël për ta përshkruar ndjenjën tonë të krenarisë, për atë çka jemi e për atë ku do të arrijmë, ku do të lartohemi. Ekzistenca jonë është në paradën tonë të përditshme, në defileun tonë në një vend ku ngjyrat shpesh pengojnë. Duke e respektuar të kaluarën tonë, ne duam të shohim kah e ardhmja. Heshtja ka qenë mekanizmi ynë për shumë gjatë, por jo tash e tutje. Në mes të sfidave e vështirësive, shpirtrat tanë kanë mbetur të fuqizuar.
Shihemi në Javën e Krenarisë, e cila edhe këtë vit është plotësuar e ndërtuar me një program që synon t`i tregojë të gjithëve: kemi qenë dhe do t`jemi këtu. Përkundër gjithçkaje./ KultPlus.com