2 Korrik, 2024 - 9:32 pm
Në qytetin e gurtë të Gjirokastrës, vendlindja e shkrimtarit të madh Ismail Kadare, që ndërroi jetë një ditë më parë, janë vendosur dy kënde ngushëllimi, ku qytetarët dhe turistët po lënë mesazhet e tyre në librat e vendosur aty.
Një prej këndeve është vendosur tek Qafa e Pazarit, ku ndodhet bazorelievi “Nderi i Qytetit” për shkrimtarin dhe tjetri tek shtëpia-muze e Kadaresë.
Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi tha për ATSH-në se “është momenti të nisim procedurat për të pasur në një shesh kryesor monumentin e Kadaresë sepse ka bërë shumë për qytetin”.
“Kadare e meriton monumentin e tij në Gjirokastër, pasi e bëri të njohur atë në mbarë botën me librat e tij. Për realizimin e këtij projekti do të bashkëpunojmë dhe me Ministrinë e Kulturës”, theksoi Golemi.
Në shtëpinë muze të Kadaresë sot dhe nesër hyrja është e lirë për vizitorët. Ndërkohë që
nesër drejtues të pushtetit vendor, qytetarë, etj do të zhvillojnë homazhe në nderim të Kadaresë në shtëpinë-muze.
Kadare u nda nga jeta një ditë më parë në moshën 88-vjeçare. Qeveria shpalli datën 2 dhe 3 korrik ditë zie kombëtare, ku flamujt në institucionet shtetërore dhe publike u ulën në gjysmështizë.
Ismail Kadare u lind në Gjirokastër më 28 janar 1936. Qyteti i lindjes e ndoqi përjetësisht kudo që ai jetoi e shkroi, në Perëndim e në Lindje, duke u bërë pjesë e pandashme e krijimtarisë së tij në të gjitha fazat e jetës. Me një opus letrar që përmban mbi 70 vepra, në të gjitha llojet e nënllojet e letërsisë, eseistikës dhe publicistikës, të panumërta në botime ribotime, Ismail Kadare ka zënë e do të ketë kryet e vendit në historinë e letërsisë shqipe./ atsh/ KultPlus.com