20 Shtator, 2019 - 8:30 pm
Janë ende të paktë turistët që e njohin dhe shkojnë në Kepin e Rodonit, një vend që ndodhet përgjatë bregdetit shqiptar të Adriatikut, vetëm një orë larg kryeqytetit, Tiranës.
Ky xhevahir i natyrës është një vend jashtëzakonisht interesant mbi të gjitha për vendndodhjen e tij piktoreske: një kep shkëmbor që shtrihet drejt detit, formuar nga shkëmbinjtë e rrethuar me bimësi mesdhetare dhe lule aromatike.
Në këtë vend çdo vizitor gjen të ndërthurur më së miri historinë, me natyrën dhe detin. Në pjesën verilindore të Kepit ndodhet një ndër objektet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, Kalaja e Skënderbeut.
Kepi i Rodonit ka formën e një trekëndëshi midis gjirit të Rodonit e atij të Lalëzit, formon një rrip toke në formë gadishulli që futet në brendësi të detit Adriatik.
Një perlë e natyrës, ku bluja dhe jeshilja shkrihen në një në thellësinë e Adriatikut, një bukuri ende e virgjër, që së fundmi po eksplorohet nga turistët. Vizitorët në këtë vend mund të shijojnë ujin e kristaltë në qetësinë që panorama ofron, larg zhurmave të plazheve masive.
Në pjesën verilindore të Kepit shtrihet Kalaja e Rodonit, që daton që në shekullin XIV, një fortifikim i cili përbëhej nga një mur mbrojtës me gjatësi 100 m, e që shtrihej nga një breg i kepit në bregun tjetër. /atsh/KultPlus.com