Kërcënohen gratë që përmbysën tavolinën në shesh

12 Mars, 2021 - 4:06 pm

Për 8 mars, organizata “QIKA” realizoi një aksion simbolik në sheshin e Prishtinës, ku një tavolinë e shtruar u përmbys.

E për këtë aksion, në njoftimin e kësaj organizate thuhet se ato u kërcënuan për dhunë fizike e seksuale.

“Në plot raste ka pasur edhe kërcënime për dhunë fizike dhe seksuale”, thuhet në postimin e tyre.

Organizata QIKA ka lëshuar një komunikatë ku dënon këtë gjuhë dhe reagimet ndaj aksionit, duke treguar më pas çka kishte qëllim dhe cili ishte mesazhi.

Komunikata e plotë e organizatës pa ndërhyrje:

Aksioni protestues që realizoi QIKA për 8 Mars, hapi diskutimin tepër të nevojshëm mbi punët e shtëpisë. Kemi pranuar qindra komente e mesazhe në adresën tonë si dhe kemi vërejtur mijëra të ngjashme në mediat e tjera.

Është e rëndësishme të theksohet se shumica e komentuesve janë burra dhe se përgjithësisht komentet ishin fyese e denigruese ndaj aktivisteve protestuese dhe organizatës sonë. Në plot raste ka pasur edhe kërcënime për dhunë fizike dhe seksuale. Abuzimet online ndaj grave në sferën publike e veçanërisht atyre të përfshira në debatin feminist janë tepër të përhapura. Kjo përveç që dëshmon faktin se këta burra refuzojnë të pranojnë që ka gra aktiviste të angazhuara për çështje publike, tregon edhe kundërshtimin e tyre për tu ballafaquar me tema të tilla si punët e papaguara që shpërfaqin dukshëm shtypjen e grave brenda shtëpisë.

Burrat u trazuan dhe kjo për neve tregon se aksioni ka prekur me të drejtë të gjithë ata të cilët mohojnë mundin dhe përkushtimin e grave në punët e kujdesit dhe të mirëmbajtjes. Burrat për herë të parë folën për shenjtërinë e tavolinës së bukës të cilën refuzojnë ta shtrojnë. Burrat u frikësuan nga e vërteta e cila flet për shfrytëzim të grave brenda familjes. Por kjo tronditje është mëse e nevojshme për të reflektuar shoqërisht mbi pabarazitë që po rëndojnë mbi kurrizin e grave. Prandaj, as nuk frikësohemi dhe as nuk e ndalim përpjekjen tonë sepse ne e dimë që s’ka ndryshime pa kundërshtime. / KultPlus.com

Të ngjajshme