26 Prill, 2022 - 12:27 pm
Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur në luftën e fundit në Kosovë, Andin Hoti, ka kërkuar të martën, 26 prill, që bashkësia ndërkombëtare të rrisë presionin dhe të kushtëzojë Serbinë për të ofruar informacione për personat e pagjetur.
“Kërkesa jonë e parë është kushtëzimi ndaj Serbisë. Kërkesa jonë e dytë ka qenë garancia e Bashkimit Evropian që të ketë një afat kohor kur Serbia detyrohet të japë informacionet për personat e zhdukur, dhe kërkesa e tretë është për hapjen e të gjitha dokumenteve sekrete të Serbisë, të kohës së luftës në Kosovë”, ka thënë Hoti, teksa ka kryer homazhe te memoriali në Prishtinë kushtuar të pagjeturve.
Dita e të Pagjeturve në Kosovë shënohet më 27 prill.
Ai ka thënë se së shpejti në Serbi pritet të fillojnë gërmimet në një tjetër lokacion.
Sipas Hotit, delegacioni i Kosovës u ka kërkuar shteteve mike tash e një vit për të siguruar imazhet satelitore përmes Kryqit të Kuq ndërkombëtar.
Megjithatë, Hoti ka thënë se ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje.
Bajram Çerkini nga Qendra Burimore për Personat e Zhdukur, u ka bërë thirrje autoriteteve që të merren me këtë proces, mirëpo ka thënë se e di që “kjo çështje nuk do të kryhet shpejt”.
Kosova ka dalë nga lufta e vitit 1998-99, me mbi 13,000 persona të vrarë, mbi 800,000 të zhvendosur dhe mbi 5,000 të zhdukur.
Qindra shqiptarë të vrarë nga Kosova janë gjetur në varreza masive në Serbi, të cilët janë bartur nga forcat serbe për t’i fshehur krimet.
Deri më tani, nga Serbia në Kosovë janë kthyer mbetje mortore të rreth 1,000 personave.
Mbi 23 vjet pas luftës, të zhdukur vazhdojnë të jenë mbi 1,600 njerëz.
Një zyrtar i Bashkimit Evropian ka thënë më 25 prill, se delegacionet e Kosovës dhe Serbisë janë afër arritjes së marrëveshjes për të pagjeturit, në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga blloku evropian në Bruksel.
“Sa i përket çështjes së të pagjeturve, praktikisht ka mbetur të zgjidhen vetëm dy fjalë, pra një gjysmë fjalie, që të kemi marrëveshjen”, ka thënë ky burim.
Në BE thonë se është e domosdoshme që të ketë shpejt marrëveshje, në mënyrë që të krijohen kushtet për takimin e nivel të lartë politik mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, ka nisur më 2011. / KultPlus.com