27 Maj, 2021 - 10:00 am
Kriteret e provimit të Maturës Shtetërore duhet të ashpërsohen, thotë ish-kryetari i Komisionit Qendror Shtetëror të Maturës, Nehat Mustafa.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Mustafa vlerëson vendimin që testi i maturës të mbahet vetëm një ditë.
“Nga ajo që kemi parë Komisioni Qendror Shtetëror i Maturës ka marrë vendim i cili është në të mirën e maturantëve për arsye se ka vendosur që edhe këtë vit testi i maturës të organizohet vetëm një ditë dhe të jetë me 100 pikë. Ky është një propozim të cilin e kam bërë edhe vitin e kaluar dhe Qeveria e ka përfill, dhe kësaj radhe e kanë parë të arsyeshme dhe e kanë sjellë një vendim jashtëzakonisht të mirë”.
Ai tha se duhet të ashpërsohen kriteret e testit të provimit të maturës.
“Mendoj që duhet me qenë dhe duhet të ashpërsohen kriteret e provimit të maturës sepse provimi i maturës i vetmi vlerësimi që bëhet nga Ministria e Arsimit dhe që është i standardizuar për të gjithë maturantët për në nivel vendi, duhet të shtohen edhe masa të tjera që e garantojnë që provimi i maturës po e jep efektin e vet dhe ku maturantët ta tregojnë cilësinë e tyre brenda asaj periudhe. Tani Komisioni Qendror i Maturës Shtetërore duhet të bëjë një analizë dhe të japë vlerësime të sakta për njësinë për standarde për vlerësim dhe monitorim në mënyrë që ata përmes ekspertëve t’i bëjnë pyetjet e duhura duke marrë parasysh rrethanat që ka kaluar kjo gjeneratë e maturantëve. Asnjë gjeneratë deri më tani nuk e ka pësuar më keq se kjo gjeneratë”.
Tutje, Mustafa tha se pyetjet e testit të Maturës Shtetërore duhet të hartohen varësisht nga performanca e mësimdhënësve dhe nxënësve.
“Nuk guxojmë që provimi i maturës shtetërore të ndikojë në rritjen e numrit por organizimi teknik do të jetë më i lehtë. Por për mua me rëndësi është që Komisioni Shtetëror i Maturës përmes njësisë për standarde vlerësim dhe monitorim të bëjë analiza të shikojë që a është monitoruar mirë nga Ministria procesi mësimor për këtë një vit e gjysmë. Cila ka qenë performaca e mësimdhënësve, dhe pastaj grupi i ekspertëve kur t’i hartojë pyetjet duhet t’i marrë parasysh gjitha këto rrethana”.
Më tej, ai tha se performanca e mësimdhënsve ka qenë e dobët këtë vit.
“Kjo gjeneratë e maturantëve i nënshtrohet testit të maturës në rrethana të pabarabarta. Ka më shumë se një vit e gjysmë që mësimi është zhvilluar në kushte jo normale. Por ka pasur mësimdhënës nuk e kanë dhënë maksimumin. Duhet pasur kujdes hartimi i pyetjeve. Por me siguri ka pasur kërkesa që maturantët duhet m’i përfill rregullat që i përcakton udhëzimi administrativ”, tha ai për EO.
Provimi i Maturës Shtetërore do të mbahet më 26 qershor. Sipas një njoftimi të Ministrisë së Arsimit, provimi është vendosur të mbahet brenda një dite. Paraqitja e provimit do të bëhet nga data 7-15 qershor. Ndërsa rezultati i provimit do të publikohet më 5 korrik.
Ndërsa, Testi i Arritshmërisë do të mbahet më 28 maj. Mbi 26 mijë nxënës të klasave të nënta, do t’i nënshtrohen këtij testi. / KultPlus.com