16 Mars, 2021 - 8:25 pm
Pas propozimit të Ministrisë së Arsimit për pushimin njëjavor për nxënësit, Këshilli i Prindërve e ka kundërshtuar këtë.
Kryetar i Këshillit të Prindërve, Ymret Reshiti, tha se ky propozim është në dëm të nxënësve.
“Jemi kundër një pushimi të parakohshëm sepse s’ka bazë dhe arsye për marrjen e këtij vendimi që ka marrë Ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë. Është e paqëndrueshme. Në atë vendim s’ka masa të kufizimit për bizneset dhe institucionet të tjera që po punojnë. Pse pikërisht arsimit? Është për keqardhje që po vazhdon anashkalimi i zërit të Këshillit të Prindërve si kategori ligjore dhe që shkelet pikërisht nga ministri i Arsimit. IKSHPK s’mund të jetë përfaqësues i zërit tonë. Ne i kontestojmë”.
Reshiti ka thënë se nxënësit dhe shkollat s’janë burim i përhapjes së infeksion derisa tregoi se kanë kërkuar edhe shifrat e nxënësve të infektuar.
“Në një sistem demokratik zëri i Këshillit duhet dëgjuar sepse si mekanizëm jemi i themeluar për këtë. E di mirë ministri se çfarë kategorie ligjore jemi. Kjo është në skajshmëri kundër ligjit”, tha ai në Info Magazine .
Ai tha se iu ka shkuar në mend edhe mbajtja e protestës, por se i kanë ikur këtij vendimi me qëllimin që të mos rëndojnë gjendjen e pandemisë në vend.
Reshiti thotë se shpreson që propozimet e tilla të mos jenë lojëra politike derisa tha se Qeveria dhe Ministria “janë në krizë dhe s’po dinë si të veprojnë”./klankosova/ KultPlus.com