25 Tetor, 2021 - 8:57 pm
Pak më shumë se 400 vite dritë nga Toka është një ekzoplanet i ri. Kjo në vetvete nuk është aq e pazakontë. Shkencëtarët deri më tani kanë zbuluar mijëra ekzoplanetë, ose planetë jashtë sistemit diellor.
Por ajo që e bën të veçantë këtë planet të largët është se astronomët morën një pamje të drejtpërdrejtë të tij, gjë që është një rast shumë i rrallë. Gjegjësisht, planeti 2M0437b është një nga ekzoplanetët më të rinj, imazhi i drejtpërdrejtë i të cilit është shfaqur.
“Duke analizuar dritën që vjen nga ky planet, ne mund të mësojmë diçka rreth përbërjes së tij, dhe ndoshta se ku dhe si e ka origjinën, në diskun e zhdukur prej kohësh të gazit dhe pluhurit që u formua rreth yllit të tij mëmë”, tha astronomi Eric Gaidos nga Universiteti i Hawait.
Ka disa arsye pse është e vështirë të merret një imazh i drejtpërdrejtë i një ekzoplaneti. Ndryshe nga yjet që ata orbitojnë, këta planetë janë shumë të vegjël dhe me shkëlqim të ulët, që do të thotë se zakonisht janë shumë të errët për t’u parë nga teknologjia jonë aktuale.
Prandaj, shkencëtarët zbulojnë përgjithësisht ekzoplanetet në një mënyrë indirekte. Nëse një ekzoplanet kalon midis nesh dhe një ylli gjatë orbitës së tij, atëherë ne mund të regjistrojmë ndryshime të vogla periodike në dritën e tij.
Përveç kësaj, ekzoplaneti gjithashtu ka një efekt të dobët gravitacional mbi yllin, duke e bërë atë pak të “lëkundur”, domethënë duke shkaktuar një zhvendosje të lehtë në gjatësinë e valës së dritës së tij, shkruan Science Alert, transmeton KultPlus.
Ky vëzhgim indirekt i ekzoplaneteve është më i lehtë nëse planeti është shumë i madh dhe afër një ylli, kështu që shumica e ekzoplaneteve të konfirmuara janë masive dhe në orbita të ngushta.
Sa i madh është 2M0437b?
Exoplaneti 2M0437b është mjaft i madh, por është gjithashtu mjaft i largët nga ylli i tij – në rreth 100 njësi astronomike (Plutoni është rreth 40 njësi astronomike larg Diellit). Zakonisht ekzoplanetët e deritanishëm nga ylli i tyre janë shumë të ftohtë për të emetuar rrezatim infra të kuq, por këtu nuk është kështu.
Për shkak se është vetëm disa milionë vjet i vjetër, ky planet është ende relativisht i ngrohtë (1127 deri në 1227 gradë Celsius) për shkak të proceseve intensive që ndodhin gjatë formimit të tij. Kjo do të thotë se ne mund ta shohim atë edhe pse është 417 vite dritë larg nesh.
Shkencëtarët e regjistruan atë në vitin 2018 duke përdorur teleskopin Subaru në Hawaii, dhe më vonë e vëzhguan përmes Observatorit WM Keck. / KultPlus.com