20 Tetor, 2022 - 10:29 am
Rritja e numrit të sëmundjeve të mushkërive në Kosovë, sipas statistikave, vjen si pasojë e ndotjes së ajrit, tokës e lumenjve.
Në Prishtinë, ajri cilësohet si i pashëndetshëm 50% të kohës, shumë i pashëndetshëm 20% të kohës dhe i rrezikshëm 5% të kohës.
Në një ditë shkurti të vitit 2021 faqja IQ air për matjen globale të cilësisë së ajrit, renditi Prishtinën për disa herë me ajrin më të ndotur në botë.
Sipas një hulumtimi nga Banka Botërore, burimi më i madh i grimcave të dëmshme te ajrit në Kosovë vjen nga sektori i banimit me praktikat e ngrohjes si druri e thëngjilli. Kostoja e ulët e këtyre burimeve e bën këtë problem më kompleks.
Pas sektorit të banimit, renditen emetuesit energjetikë të termocentraleve dhe transporti.
Sipas ekologut Zeqir Veselaj, KEK-u është ndotësi më i madh i ajrit në Kosovë.
“Në Kosovë ndotësi më i madh i ajrit është KEK-u me të gjitha kapacitetet, ndotja fillon qysh nga nxjerrja e thëngillit e cila reflekton humbje të tokës bujqësore dhe përfundon përsëri me ndotje të tokës nga produktet e djegjes së thëngjillit në ato që njihen si kodrat e hirit”.
Kosova furnziohet me rrymë nga dy termocentrale me thëngjill, të dy këto termocentrale janë të vjetëruara dhe kanë nevojë për investime.
Ndotja më e madhe nga termocentralet lëviz në zonat përreth KEK-ut, konkretisht Obiliq, Fushë-Kosovë dhe kohë pas kohe edhe Prishtinën e tërë rrafshin e Kosovës.
Sipas të dhënave të fundit nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit, “Kosova B” në secilin muaj e kalon limitin e pluhurit të liruar.
Derisa, të dy termocentralet e tejkalojnë vazhdimisht emetimin e gazrave të disoksidit të squfurit dhe oksidit nitrik.
Sipas një raporti të publikuar nga Banka Botërore, në Kosovë vdesin 760 njerëz në vit para kohe për shkak të ekspozimit në ajër e mjedis të ndotur.
“Nëse e marrim sipas një vlerësimi të bërë në vitin 2017-2019 për efektet nga grimcat e ajrit, atëherë i bie që jetëgjatësia në Kosovë është më e ulëta në rajon 76.9 vite jetë”- ka thënë Antigona Ukëhaxhaj, specialiste e shëndetit publik.
“Gjatë stinës së dimrit kur ka më shumë lëndë djegëse kemi atë pikun kur ajri me të vërtetë është i ndotur, në këtë moment janë ato grimcat që shkaktojnë problemet kryesore në mushkëri apo acarimet si bronkiti, astma. Ekspozimi i gjatë në to lidhet me kanceret pulmonare” – deklaroi pulmologu Flamur Marku.
Familje të shumta që jetojnë në Plemetin e Obiliq përballen më vështirësi shëndetësore për shkak të këtij ajri.
Sipas një hulumtimi, vetëm në muajt e dimrit mbi 12 mijë fëmijë kanë kërkuar trajtim mjekësor.
“Ne në vitin 2017/18 kemi bërë një hulumtim sa i përket vizitave në qendrën e mjekësisë familjare në Obiliq dhe vetëm gjatë muajve të dimrit janë evidentuar mbi 12 mijë raste të fëmijëve që kanë kërkuar trajtim mjekësor”- deklaroi Antigona Ukëhaxhaj.
Edhe pse të dhënat nuk tregojnë për emetime gazrash përtej limiteve të lejura, banorët e Çikatovës ka vite që ankohen për efektet e dëmshme të ndërmarrjes Ferronikeli, ekspozimi në mbetje të kësaj fabrike mund të shkakojë sëmundje të frymëmarrjes.
Të dhënat shfaqin se ka pasur rritje të rasteve me kancer në Drenas në dekadën e fundit.
Ngjashëm është edhe situata në Han të Elezit, ku ndërmarrja “Sharrcem” për përpunim të çimentos operon afër vendbanimeve.
Në Han të Elezit ka shumë të vdekur nga kanceri, sipas statistikave, kryesisht lidhen nga ato të ndotjes së ambientit.
Ndotës tjetër i ajrit janë automjetet.
Sipas Besnik Boletinit nga organizata ‘Çohu’, gjatë kohës kur pati karantinë në pandemi, ajri ka qenë 50% më i pastër.
“Një ndotje e madhe në Kosovë, sidomos në zonat urbane , përpos KEK-ut, janë edhe automjetet. Në hulumtimin që kemi bërë me krahasim të periudhës mars-prill 2019 dhe mars- prill 2020, ku nuk ka funksionuar thuajse asgjë për shkak të pandemisë, rezulton që ajri ka qenë për 50% më i pastër”- ka thënë Boletini.
Problemit të vëllimit të madh të automjeteve i shtohet edhe praktika e heqjes së filtrit të gazit të veturave që qarkullojnë me naftë. / Express / KultPlus.com