14 Maj, 2020 - 4:30 pm
Ndonëse mësimi në distancë për shkak të përhapjes së pandemisë ende është duke vazhduar, ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami thotë se ashtu siç do mbahet testi i maturës, do të mbahet edhe testi i arritshmërisë për nxënësit e klasave të nënta.
Bajrami në një intervistë për KosovaPress, derisa e konsideron të suksesshëm projektin për mësimin në distancë, thotë se ky vit shkollor do të shtyhet për ditët e humbura për shkak të mbylljes së shkollave për arsye të masave kundër përhapjes së pandemisë COVID-19.
“Brenda kësaj jave ose gjatë javës tjetër do të merret vendim edhe për testin e arritshmërisë. Neve na duhet një vlerësim formal nga ekspertë dhe zyrtarë të Ministria e Arsimit për të parë se testi a duhet të mbahet ne vlerësime të tilla nuk kemi. […] Testi i arritshmërisë para se gjithash e bënë njëfarëlloj orientimi të nxënësve nëpër shkolla sepse pikërisht në bazë të arritjes që ata kanë orientohen mandej nëpër shkolla të ndryshme, qoftë te gjimnazet sepse ju e dini që shikohen pikët e arritjes nëpër lëndë të ndryshme dhe varësisht prej asaj mund të regjistrohet nxënësi diku. Kështu që është i nevojshëm të mbahet”.
“Ne do bëjmë përpjekje që brenda javës t’i njoftojmë nxënësit dhe besoj që testi do të mbahet nuk ka vendim që ky test të mos zhvillohet këtë vit. Ndërsa, për vitet e tjera MASHT do bëjë vlerësim për të gjitha testet për të parë që me të vërtetë këto teste a kanë vlerë të shtuar në proces të sistemit arsimor”, theksoi ajo, transmeton Klan Kosova.