24 Shtator, 2021 - 9:00 am
Qeveria e Kosovës do të mblidhet sot, ku ndër të tjera, pikë e rendit të ditës do të jetë edhe miratimi i masave të reja anti-Covid.
Këtë e ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Në një konferencë për media, Vitia tha se në koordinimin me ministritë e linjës dhe me institucionet përkatëse shëndetësore kanë vendosur për masa të reja në vend, nga e hëna e javës së ardhshme.
“Nga rekomandimet e dy javëve paraprake kemi pasur shumë takime dhe diskutime për masat e reja që do të hyjnë në fuqi nga data 27 shtator, pra nga e hëna e ardhshme. Sot kemi marrë edhe rekomandimet e fundit nga IKSHPK-ja, për këto masa”, ka thënë Vitia, transmeton KultPlus.
Ndër të tjera, Vitia deklaroi se tashmë në të gjitha institucionet publike dhe private që punojnë me palë, do të kërkohet certifikata e vaksinimit apo testet përkatëse që dëshmojnë që punonjësi nuk është i infektuar me Covid-19.
“Ashtu siç kemi paralajmëruar tani nga institucionet shtetërore dhe një mori e institucioneve private do të kërkohet që të paraqesin certifikatën e vaksinimit, apo testeve përkatëse para hyrjes në objektet ku operojnë. Kjo vlen për aktivitete si qendra tregtare, call center, gastronomia në ambientet e brendshme dhe të gjithë punonjësit në institucionet publike dhe private që punojnë me palë.
Ministri Vitia njoftoi se do të hapen edhe shkollat dhe çerdhet.
“Shkollat dhe çerdhet do të fillojnë punën nga dita e hënë. Maksimumi i nxënësve të ledhuar në klasë do të jetë 20. Aktivitetet sportive mund të kenë prani të shikuesve deri në 10 për qind të kapaciteteve, duke pasur certifikatën e vaksinimit ose një nga 3 dëshmitë alternative; pra testin PCR, serologjik ose testin rapid antigjen. Në ambientet e jashtme deri në 30 për qind të kapaciteteve”, ka thënë Vitia.
Ndryshe, Express dje ka raportuar se lokalet e gastronomisë do të vazhdojnë të punojnë deri në orën 21:30, do të hapen hapësirat brenda lokaleve, por aty do të lejohen vetëm personat me dëshmi të vaksinës apo testeve përkatëse, transmeton tutje KultPlus.
Lëvizja e qytetarëve është e kufizuar pas orës 22:00, deri në orën 05:00.
Masat e reja që pritet të miratohen sot nga Qeveria e Kosovës do të hyjnë në fuqi nga e hëna e javës së ardhshme. / KultPlus.com