6 Mars, 2023 - 10:30 am
Më 5, 6 dhe 7 mars shënohet 25-vjetori i sulmit të dytë të forcave të Serbisë ndaj familjes Jashari në Prekaz.
Në sulmin ndaj familjes Jashari ranë 59 anëtarë të kësaj familjeje, duke u bërë shembulli më unik i sakrificës për liri që bota nuk e kishte parë deri atëherë.
Kulla e Jasharajve ishte rrethuar dhe sulmuar me të gjitha armët që kishte ushtria serbe.
Aty ra edhe komandanti legjendar i UÇK-së, Adem Jashari.
Kjo ngjarje mori jehonë të madhe edhe në mediat e rëndësishme ndërkombëtare, përfshirë edhe BBC-në.
BBC raportonte se komandanti legjendar Adem Jashari u vra më 7 mars 1998, pas një sulmi brutal dhe një masakre nga forcat serbe ndaj familjes Jashari në Prekaz.
BBC, më 7 mars 1998, raportoi për vrasjen e Adem Jasharit, duke thënë se brenga ndërkombëtare po shtohet në lidhje me luftimet e ashpra në Kosovë, ku forcat ushtarake dhe policore serbe po luftojnë kundër “separatistëve shqiptarë”.
Autoritetet serbe thonë të kenë goditur zemrën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kanë vrarë liderin e saj, Adem Jasharin, shkruan BBC në shkrimin e 7 marsit të vitit ‘98.
Por, gazetari i BBC-së, Paul Wood, në një raport ekskluziv nga Kosova, ka parë për së afërmi shtëpitë e pjesëtarëve të dyshuar të UÇK-së, duke u djegur apo duke u rrënuar nga automjetet ushtarake.
Ishte edhe ndëshkim, por edhe paralajmërim për pjesën tjetër të fshatit.
Serbët thonë se po e luftojnë terrorizmin, por Paul Wood thotë se nuk ka nevojë për operacione ushtarake të kësaj shkalle.
Shumë familje po ikin nga shtëpitë e tyre, po i kalojnë netët nëpër male, ndërsa partia kryesore politike shqiptare ka akuzuar serbët se kanë ndërmarrë një fushatë të re të spastrimit etnik.
“Duhet të ikim”, thotë një fshatare. “Këtu ka luftë. Njerëzit po vriten, madje dhe fëmijët. Dhe askush s’po bën asgjë”.
Ndërkaq më vonë, korrespodenti i BBC-së, Allan Little, më 12 mars të vitit 2000, pati shkruar se si marsin e vitit 1998, forcat serbe ishin futur në Prekaz dhe me tanke e automjete tjera të armatosura, rrafshuan shtëpinë e familjes Jashari. Beogradi, siç citon BBC, Adem Jesharin e quante “terrorist famëkeq”.
“Ishte një aksion normal policor kundër një krimineli të njohur”, citon BBC gjeneralin serb Nebojsha Pavkoviq. “Ishte i suksesshëm. Detajet tjera s’më kujtohen”.
Por, BBC thotë se detajet që Pavkoviq kishte vendosur të mos i kujtonte ishin brengosëse.
Pesëdhjetepesë anëtarë të familjes Jashari janë vrarë. Sipas BBC-së, “në Serbinë Millosheviqiane, natyrisht se ky është krejt një aksion normal policor”.
Por, sipas fjalëve të një gazetari të spikatur shqiptar, ishte gjithashtu një “favor i pamëshirshëm ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Masakra e Prekazit ishte një thirrje e mprehtë për ata mijëra burra shqiptarë që i ishin bashkëngjitur radhëve të një grupi të vogël e nën hije të luftëtarëve të njohur si UÇK.
Por, më qenësore ishte se Prekazi do të ndryshonte edhe opinionin publik ndërkombëtar.
“Sapo t’i marrim fotografitë e Prekazit, do t’i vendosim në internet”, citon BBC, Veton Surroin, një botues gazete.
Ndërkaq, BBC në vitin 2015, kishte realizuar edhe një dokumentar për familjen Jashari.
Filmimi, i cili zgjat katër minuta ka protagoniste Besartën, e cila është e mbijetuara e vetme e familjes së Adem Jasharit, që ishte vetëm 10 vjeçe atë kohë. Ajo flet për ditën e tmerrit, kur humbi familjen, shkruan ndër tjerash BBC. / Express / KultPlus.com