22 Maj, 2021 - 10:29 pm
“Dje kam pasur një diskutim të gjatë, që ishte gati pothuajse një përplasje me kolegët e mi në Milano të cilët ankoheshin sepse në Palermo nuk mund të bësh përgjime, nuk mund të zbulosh gjëra. Unë u thashë: ka një ndryshim shumë të vogël këtu. Ju në Milano bëni përgjime, këtu tek ne, të vrasin për gjëra të tilla”.
Këto fjalë i thotë Giovanni Falcone, në një regjistrim të shtatorit 1989 në Palermo, i cili ka dalë në dritë vetëm tani.
Sipas mediave vendase, kjo ishte mënyra më e mirë për ta kujtuar simbolin e drejtësisë dhe luftës ndaj krimit të organizuar e mafias në vendin fqinj, e jo vetëm, në 29 vjetorin e sulmit në Capaci, kur gjatë kthimit nga Roma, u hodh në erë makina e tij, duke vrarë prokurorin e njohur, të shoqen dhe tre agjentë që e shoqëronin.
21 qershorin e vitit 1989, Falcone i kishte shpëtuar një sulmi, në vilën bregdetare të marrë me qira kur ishte me pushime në Addaura. Vdekja e tij, në 1992-shin erdhi prej një bombe me gati gjysmë tonë lënde shperthyese të vendosur nga klani Korleone.
Miku dhe kolegu i tij, Paolo Borsellino do të vritej më pak se dy muaj më vonë, duke e bërë atë vit, një pikë kthese në ndjekjen penale të mafias italiane./ KultPlus.com