Kiana Kryeziu për Lojërat Olimpike: Asgjë nuk është e pamundur nëse punoni shumë, jam vajzë e re dhe vij nga një vend i vogël

11 Shkurt, 2022 - 9:30 am

Skiatorja, Kiana Kryeziu, shkroi histori duke u bërë vajza e parë nga Kosova që arrin të marrë pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore, shkruan KultPlus.

Në garën e saj të parë, një konkurencë të fortë, Kryeziu u rendit e 49-ta nga 82 pjesëmarrëse, me kohë 1 minutë, 18.78 sekonda.

Në anën tjetër, në disiplinën e sllallomit të madh, ajo zuri vendin e 49-të nga 82 garues total me kohë 2 minuta e 42.19 sekonda.

Përmes një postimi në ”Facebook”, Kryeziu u shpreh jashtëzakonisht i lumtur për këtë arritje.

“Asgjë në botë nuk mund të matet me ndjenjën që e perjetova në lojërat olimpike, vetëm prania ime atje ishte një aritje e madhe, një eksperiencë e paharruar. Dua të falënderoj të gjithë që më ndihmuan të jem unë këtu ku jam sot, të cilët qëndruan në hije të suksesit tim të madh”.

17 vjeçarja tutje falënderoi prindërit, që e mbështetën atë sikurse në suksese ashtu edhe në eksperiencat e tjera.

“Gjithashtu, dua të falëndetoj trajnerin tim, Agim Pupovci, i cili më mori në krahët e tij dhe me shumë dedikim e fokusim më solli këtu ku jam unë tani. Si një vajzë e vogël me një ëndërr të madhe nga një vend i vogël, dua të them se asgjë nuk është e pamundur në qoftë se ju punoni shumë”, përfundoi ajo.

Kosova në këto Lojëra Olimpike, është duke u përfaqësuar edhe nga skijatori Albin Tahiri. /KultPlus.com

Të ngjajshme