27 Maj, 2023 - 11:02 am
Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” përkujtoi sot një nga prozatorët e parë shqiptarë, Kin Dushi (27 maj 1922-6 prill 1994).
Kin Dushi lindi në Shkodër në fshatin Shirokë më 27 maj 1922. Studimet i kreu në Shkollën e mesme “Normale” të Elbasanit dhe më pas mori pjesë në Luftën e Dytë Botërore kundër pushtueseve fashistë. Në vitin 1942-1943 u arrestua nga pushtuesit dhe u dërgua në kampin e Prishtinës. Ditët e përjetuara në kampin e Prishtinës i shkruante në një ditar, të cilin e botoi në vitin 1951. Ky ditar konsiderohet si romani i parë i pasluftës, por historiografia komuniste nuk e cilësoi asnjëherë në studimet për letërsinë.
Në vitin 1949-1952, Kin Dushi niset për studime në Bashkimin Sovjetik për Letërsi. Pas kthimit, ai nis të punojë si gazetar tek gazeta “Zëri i Popullit” për zonën e Myzeqesë, nga ku u frymëzua për të shkruar romane të tjera. Në vitin 1955 shkroi “Udha e Velanit” dhe në vitin 1961 “Kronikë e vendit tim”. Është i pari shkrimtar që fitoi çmimin e Republikës në Shqipëri, me romanin “Udha e Velanit”, dhe në vitet 1955-1956 u bë anëtar i “Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve”
Në vitin 1960 shkroi skenarin e dokumentarit të kinostudios “Shqipëria e Re”, “Vallëzimi i Shqipeve”. Dy vite më vonë shkroi komedinë “Banorët e shkallës nr. 5”. Kjo komedi shihet nga kritika si një pasqyrë e hollësishme e shoqërisë shqiptare të viteve të komunizmit. Jeta e Kin Dushit do të ndryshojë përgjithmonë pas botimit të romanit “Një emër mes yjeve”. Romani u botua në vitin 1964 dhe u kritikua për “deheroizëm” dhe spontanitet e konceptim anarkik të luftës nacionalçlirimtare, në plenumin e 15-të të “Komitetit Qendror të Partisë”. Më 3 tetor 1967, Kim Dushi u arrestua dhe u dënua me 8 vite burg politik, si “armik i popullit”.
Të gjitha shkrimet e tij deri në atë kohë u hoqën nga qarkullimi. Në vitin 1975 u lirua nga Burgu i Burrelit dhe punoi si punëtor ndërtimi në Ndërmarrjen “21 Dhjetori” në Tiranë, derisa mbushi moshën e pensionit. Nuk mundi të përfundonte asnjëherë romanin e mbetur në dorëshkrim “Njeriu me proteza”. Më 6 prill të vitit 1994, Kin Dushi, pasi kishte humbur krejtësisht shikimin, u nda nga jeta./atsh/KultPlus.com