22 Korrik, 2019 - 12:00 pm
Sistemi i arsimit të lartë të Shteteve të Bashkuara ka shënuar performancën më të keqe në 16 vjet dhe po përshpejton ritmin e rënies, sipas edicionit të 16-të të renditjes botërore të universiteteve QS. Tetë nga universitetet më të larta të hulumtimit në botë tani janë kineze – tre më shumë se vitin e kaluar.
Një “luftë” e vërtetë bëhet në nivel global me shkencën dhe arsimin. Kina po shënon çdo vit rritje me universitetet e saj në rangimet globale dhe në financimin e kërkimit shkencor, edhe pse ndikimi më i madh në këtë sektor vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe universitetet europiane, transmeton Mapo.al.
Renditjet e universiteteve të publikuara më 19 qershor tregojnë se 72.6% e 157 universiteteve të renditura në SHBA kanë pësuar rënie. SHBA gjithashtu ka regjistruar numrin më të ulët në top listën e 100 universiteteve më të mira (29) që nga viti 2016, dhe katër më pak se vitin e kaluar (33).
Mbretëria e Bashkuar gjithashtu kishte një vit të keq me performancën e saj të tretë më të keqe që nga fillimi i rankimit, ku 66% e universiteteve humbën vendet e tyre, ndonëse rënia ishte më e ulët se në 2017 (me 70.5% të universiteteve në rënie) dhe 2018 (70.6% ).
Ben Sowter, drejtor i hulumtimit në QS, tha se sektori i SHBA po përjeton një nivel të paprecedent të rënies.
“Është e qartë se komuniteti akademik global ka ulur vazhdimisht besimin në sistemin e arsimit të lartë amerikan gjatë katër viteve të fundit. Kjo tërheqje e besimit është shtuar nga përkeqësimi i raporteve të studentëve ndërkombëtarë, në krahasim me bashkëmoshatarët globalë, dhe dëshmi se statusi i mëparshëm i palakmueshëm i Amerikës si udhëheqëse e kërkimit në botë është nën kërcënim”.
Por ka lajme të mira për Kinën, Australinë dhe Lindjen e Mesme, e cila fitoi terren:
Më shumë se dy të tretat e universiteteve australiane u rritën në renditje.
Kina tani ka 19 nga 200 universitetet më të mëdha kërkimore në botë, krahasuar me 12 në vitin 2016.
Lindja e Mesme ka për herë të parë dy universitete në listën e 200 universiteteve më të mira me Universitetin King Abdulaziz të Arabisë Saudite (186) si lideri i ri rajonal.
Një prirje e fortë negative po shfaqet që mund të pasqyrojë uljen e investimeve në mësimdhënie dhe mund të ndikojë negativisht në rekrutimin e studentëve ndërkombëtarë në 302 universitetet nga SHBA, Britania e Madhe, Australia dhe Kanadaja, 216 prej tyre kanë shënuar një performancë më të keqe të Raportit Fakultet-Studentë në matjen e QS për kapacitetet e mësimdhënies.
Majat e klasifikimit mbeten të pandryshuar me SHBA duke marrë tre vendet e para – Massachusetts Institute of Technology përsëri udhëheq, Universiteti Stanford dhe Universiteti i Harvardit. SHBA ka 5 nga 10 universitetet më të mira, me Institutin e Teknologjisë të Kalifornisë i cili është rrëzuar një vend këtë vit, në të 5-tin, dhe Universiteti i Çikagos i cili ka rënë në vendin e 10-të.
Vendet e BE duke mbyllur hendekun në Mbretërinë e Bashkuar
Mbretëria e Bashkuar kishte katër në 10 universitetet më të mira, por Universiteti i Kembrixhit ra në pozitën më të ulët, i shtati, ndërsa Oksford u rrit në vendin e katërt. University College London erdhi i teti, deri në dy vende, duke kapërcyer Imperial College në Londër në vendin e nëntë.
Sipas QS, të dhënat tregojnë se universitetet e 27 vendeve të BE-së po mbyllin hendekun ndaj atyre në Mbretërisë së Bashkuar. Në vitin 2016 – viti i referendumit të Bashkimit Europian në Britaninë e Madhe – hendeku mes mesatares në Mbretërinë e Bashkuar dhe BE ishte 94.7. Ky hendek tani është ngushtuar në 68.2 gradë: një reduktim prej 28%.
QS thotë se kjo është në pjesën më të madhe për shkak të trajektores së punës kërkimore të çdo grupi. Që nga viti 2016, raporti mesatar i arritur nga universitetet në Mbretërinë e Bashkuar për ‘Citimet për Fakultet’ – matja e ndikimit të kërkimit institucional – ka rënë me 71.4 vende, ndërsa mesatarja e BE është përmirësuar pak (+3 pikë).
Universiteti i Zvicrës “ETH Zurich” (vendi i 6) ka kaluar Universitetin e Kembrixhit për herë të parë, për t’u bërë universiteti i dytë më i mirë i kontinentit.
Rezultatet e kërkimit të Kinës rivalizojnë SHBA
Ndërkohë, dy universitetet kryesore të Kinës kontinentale kanë arritur pozicionin e tyre më të lartë në renditje dhe prodhimi kinez i kërkimit shkencor tani rivalizon atë të Shteteve të Bashkuara.
Universitetet më të mira të Azisë janë Universiteti Kombëtar i Singaporit dhe Universiteti Teknologjik Nanyang, Singapor (të 11-at).
Por Universiteti Tsinghua i Kinës u rrit me një vend në të 16-in dhe Universiteti i Pekinit u rrit tetë vende duke arritur në vendin 22. Të dyja institucionet janë rritur për pesë vjet rresht. Universiteti Fudan tani është në vendin e 40-të, duke u rritur katër vende, por është rritur 31 vende që nga viti 2015.
Për më tepër, ndikimi i kërkimit kinez vazhdon të përmirësohet. Nga 42 universitetet e renditura në Kinë, 32 kanë përmirësuar performancën e tyre sipas treguesit që përdoret nga QA për rankimin, “Citimi për artikujt shkencorë”, ndërsa 9 universitete kanë rënë në radhë.
Tetë nga universitetet më të larta të hulumtimit në botë tani janë kineze – tre më shumë se vitin e kaluar.
10 universitetet më të mira të Kinës prodhuan 428.191 punime kërkimore në periudhën pesëvjeçare të përdorur nga QS për të vlerësuar ndikimin e kërkimit; 10 universitetet e Shteteve të Bashkuara prodhuan 443.996. QS theksoi se kjo do të thotë se boshllëku i prodhimit tani është vetëm 15.805 artikuj dhe diferenca po ngushtohet “nga viti në vit”.
Sowter arriti në përfundimin se një dallues i madh midis atyre sistemeve të arsimit të lartë që po shohin përmirësime dhe atyre që po rrëzohen në rankim është financimi.
“Kina, kërkimi shkencor i së cilës është diametralisht e kundërta me atë të SHBA, ka kaluar dy dekada e gjysmë duke krijuar dhe zbatuar një strategji gjithëpërfshirëse kombëtare të financimit që shumë se kurrë i ka dhënë frytet e saj këtë vit”, tha ai.
“Nga ana tjetër, kërkesa e fundit e administratës Trump për shkurtimin e fondeve prej Departamentit të Arsimit prej 7,1 miliardë dollarësh është viti i tretë që ai ka kërkuar të zvogëlojë fondet federale për sistemin arsimor të SHBA”.
Ai tha se këto shkurtime shoqërohen nga fonde të ngjashme shtetërore të rrepta. Për shembull: sistemi i Universitetit të Kalifornisë, një xhevahir i ekosistemit kërkimor të SHBA-së, vazhdon të marrë pjesë në ndarjet e Fondit të Përgjithshëm të shtetit që janë në nivelet më të ulëta historike.
“Duke ardhur së bashku me sulmet e propozuara në buxhetin kombëtar të shkencës, klima për arsimin terciar amerikan duket po aq e shqetësuar sa klima globale, fatet e të cilës – dhe fatet e njerëzimit – kërkojnë që Shtetet e Bashkuara të mbajnë angazhimin e tyre për kërkime të larta universitare”.
Në të kundërt, universitetet kineze po shijojnë “përfitimet e rëndësishme të investimeve inteligjente dhe të dallueshme”, tha ai.
“Është shumë e mundur që edicioni i vitit të ardhshëm të QS World University Rankings do të shohë 10 universitetet më të mira të Kinës të kontribuojnë në një vëllim më të lartë të hulumtimeve udhëheqëse në botë sesa 10 më të mirat në SHBA”.
Megjithatë, mbetet një hendek i madh i ndikimit në hulumtim. Ndërsa 10 universitetet më të mira të Kinës po prodhojnë pothuajse aq kërkime sa edhe ekuivalentët e tyre në SHBA, kërkimet amerikane ende gëzojnë gati dyfishin e nivelit të ndikimit. “Prandaj, kufiri i ardhshëm për arsimin e lartë kinez është ndërmarrja e hapave për të siguruar që ndikimi i kërkimit të përputhet me produktivitetin e kërkimit”, tha Sowter.
Renditjet, të prodhuara nga konsulenca globale e arsimit të lartë QS ose Quacquarelli Symonds, rendisin 1000 universitetet më të mira në botë bazuar në reputacionin akademik, punësueshmërinë e të diplomuarve, raportin mes stafit pedagogjik dhe studentëve, punën kërkimore dhe internacionalizimin.