Kinematografia shqiptare, në fokusin e festivalit italian Sudestival 2025

11 Mars, 2025 - 7:31 pm

Në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Itali, Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit dhe Fondacionin Gramsci të Pulias, Festivali i Filmit Sudestival mirëpret kinematografinë shqiptare me një sesion të dedikuar.

Pas Romës, do të jetë në Monopoli, te Pulias, stacioni i radhës. Data 14 mars, në Teatrin Radar në Monopoli, do të jetë një ditë e gjatë kushtuar bisedave, debateve dhe shfaqjeve të disa prej veprave më të mira kinematografike që rrëfejnë historinë e Shqipërisë.

Në program parashikohet “Anuloje Ligjin” (Annula il decreto) nga Fabrizio Bellomo. Pas shfaqjes së filmit, do të ketë një bisedë me regjisoren Fabiola Ismaili (Aquile di Seta), Edon Qesari (Historian, Akademia e Shkencave e Shqipërisë), Prof. Claudia Villani (Historiane, Universiteti i Barit – Fondacioni Gramsci Puglia).

Filmi tjetër në program është “UDHA – Një gjak, një gjuhë, një besë” nga Alessandro Ferrantelli, i cili do të shfaqet në shqip me titra italisht. Kjo premierë italiane do të ndiqet nga një bisedë me Arbër Agalliu, Noè Andreano (kryetar i bashkisë së Casalvecchio di Puglia), prof. Lucia Martino.

Në mbrëmje do të shfaqet i mirënjohuri “Lulëkuqet mbi mure”, i regjisorit Dhimitër Anagnosti që do të ndiqet nga biseda me Vito Saracino (Fondacioni Gramsci i Pulias), Marinela Ndria dhe Eriona Vyshka (Arkivi Qendor Shtetëror i Filmit), Nicola Barbuti (Dabimus srl – Universiteti i Barit), Resmie Hallulli (Universiteti i Barit, Fondacioni Gramsci i Pulias). /atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme