6 Qershor, 2020 - 11:30 am
Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare berat ka propozuar shpalljen e kishës së Shën Nikollës në fshatin Paftal, monument kulture i kategorisë së parë.
Në këtë kuadër specialistët e Institutit të Trashëgimisë Kulturore, Tiranë vizitoi nga afër këtë kishë dhe vlerësoi kompozimin arkitektonik të kësaj kishe.
Eugen Kafllani, drejtor i DRTK-së Berat, theksoi se “nëse ky monument ka mbërritur në këto ditë në këtë gjendje relativisht të mirë, kjo ka ardhur si rrjedhojë e përkujdesjes së shumë besimtarëve e banorëve të kesaj zone, të cilët gjej rastin ti falenderoj publikisht”.
Sipas tij, detyra jonë dhe e shtetit tashmë është ta mbrojmë e ta mirëmbajmë të gjithë bashkë këtë ” diamant ” të trashëgimisë kulturore.
“Specialistët e Institutit të Trashëgimisë Kulturore, Tiranë vlerësuan edhe tipologjinë e objektit si një bazilikë tre – nefëshe me tavan të rrafshët , përmasat e saj, detajet arkitektonike, detajet e gdhendjes së gurit në pjesën e jashtme të absidës, mbishkrimet në qemerët e portave të punuara me gur ranor, gjinekonitin me dyshemenë origjinale me dru lisi e të mbërthyer me gozhdë kovaçi , pjesën e hajatit të punuar me gurë gëlqerorë të skalitur dhe këmbanoren e cila për nga forma , eleganca dhe mënyra e punimit ka një lloj ngjashmërie me atë të Manastirit të Shën Mërisë së Apollonisë”, – tha Kafllani.
Ai bëri të ditur se pas hartimit të dokumentit tekniko – ligjor së shpejti do të merret vendimi për shpalljen në mbrojtje paraprake dhe më pas përfshirjen në listën e monumenteve të administruara nga DRTK – Berat duke bashkëlidhur edhe zonën e mbrojtur përreth monumentit.
Kjo kishë daton në vitin 1875 ( sipas edhe mbishkrimeve ) por kjo datë mund ti përkasë rindërtimit pasi ekzistojnë të dhëna të botuara apo të dhëna nga tradita gojore të banorëve të zonës, ku thuhet se është ndërtuar mbi një kishë më të hershme.
Monumenti i atribuohet punës së kryemjeshtrit usta Veliko nga Opari i Korçës. Në ditët e sotme kjo kishë prezantohet si një nga objektet e kultit me vlera të rëndësishme historike -arkitektonike dhe për nga pozicioni gjeografik i vendndodhjes së saj ajo është një vlerë e shtuar si për turizmin kulturor në qarkun e Beratit, ashtu edhe një vend i rëndësishëm pelegrinazhi për besimtarët.