11 Gusht, 2020 - 5:24 pm
Suada Qorraj
Që nga fillimi i pandemisë, puthjet dhe përqafimet i dukeshin aq të largëta dhe të çuditshme, si një nga ato ndjenjat që tashmë i përkasin të kaluarës. Edhe materialet filmike që u përdorën për realizimin e këtij dokumentari i përkisnin të kaluarës, arkivës të familjes së regjisores që ajo i morri me vete pas vendosjes në Pragë. Filmi “Kiss me, now”, sjellë para publikut versione të ndryshme të puthjeve e përfshirjes në puthje, mënyra jonë e të thënit të dua, shkruan KultPlus.
Në një intervistë për KultPlus regjisorja e dokumentari gjashtë minutësh që ngërthen në vete puthjet dhe përqafimet e një rituali ditor, Norika Sefa rrëfen se dokumentarin e realizoj gjatë kohës së izolimit dhe qëndrimit larg familjes, atëherë kur asaj i duhej më shumë se kurrë ndjenja e rehatisë.
“Gjatë pandemisë unë kam qenë tërë kohën në Pragë, larg familjes, ose edhe larg ndjenjave që për mua janë “familjare”, pra derisa punoja me materialet filmike gjithmonë e më shumë e kisha të nevojshme të ia kushtoj një film ndjenjës të një kohe të kaluar kur gjithçka dukej më e prekshme, e më kapshme, por edhe më e kuptueshme. Pandemia dhe kjo situatë ngjalli shumë te panjohura për të ardhmen, pra e kaluara më ofroj një ndjenje rehatie’, tregon Sefa.
Ajo ka shtuar se muzika që është përdorur është shkruar veçanërisht për filmin e puthjeve dhe përqafimeve që formën e saj përfundimtare e mori në dhomën e editimeve.
“Kiss me, now” ka në vete personazh të moshave të ndryshme, foshnje që qajnë e madje edhe pleq që qëndrojnë të ulur, por me të vetmin element që i bënë bashkë të gjithë herë pas here, puthjet që kanë për t’i dhuruar njëri tjetrit.
Sefa tregon se puthjet dhe përqafimet janë gjuha jonë private që shprehë më shumë atë çka ndjejmë, sesa fjalët. Sipas saj fëmijët e kuptojnë rëndësinë e fjalës ‘të dua’ vetëm atëherë kur ajo shoqërohet edhe me puthje.
“Unë i nënkuptova këto puthje e përqafime si një “PRIVATE LANGUAGE” , që shprehte shumë më shumë se fjalët, dhe se te secila moshë kishte dinamikë tjetër. Në një mënyrë të ngjashme, shpesh kam parë të thuash “të dua” në disa situata që mund të japin të njëjtin kuptim si përqafimi ose puthja. Mund të vërejmë që shpesh i themi fëmijëve që i duam por ata shumë më shumë e kuptojnë rëndësinë e kësaj fjale kur pason me puthje e përqafime… Por te të rriturit në “Kiss me, now” unë vërejta që puthja e përqafimi humb spontanitetin e fëmijëve”, ka shtuar tutje ajo.
Norika vazhdon rrëfimin duke treguar edhe pengesat që ajo hasi gjatë rrugëtimit të krijimit të këtij filmi. Meqenëse regjisorja kishte lidhshmëri emocionale me materialet filmike, ajo kërkoj ndihmë nga persona të ndryshëm në Kolumbi, Berlin, dhe Pragë sepse sipas saj ata posedonin në vetvete ndjeshmërinë e të bërit film.
Sefa ka shtuar se krahas Dokufestit ajo ka marrë përgjigje pozitive edhe nga festivale tjera të filmit, por që do të bëhen të njohura me kohën. Gjithashtu ajo ka thënë se tashmë ka filluar përgatitjet për realizimin e një filmi tjetër të metrazhit të gjatë.
Regjisorja Norika Sefa deri më tani ka realizuar filma të ndryshëm, të metrazhit të gjatë e të shkurtër si “Looking for Venera”, Desde Arriba, 23rd of May, Ingredients e shumë të tjerë. / KultPlus.com