20 Nëntor, 2020 - 2:41 pm
Para një muaji, Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore për Persona të Pagjetur dhe Peticione, kishte bërë kërkesë tek zyra e zëvendëskryeministrit, Driton Selmanaj për raportim lidhur me çështjen e personave të pagjetur.
Mirëpo në një përgjigje të zyrës së zv.kryeministrit Selmanaj drejtuar këtij komisioni, thuhej se çështja e personave të pagjeturve është konsumuar, shkruan Gazeta Insajderi.
“Lidhur me kërkesën e Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Personat e Pagjetur dhe Peticione të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që zv.kryeministri, Driton Selmanaj të raportojë pranë komisionit lidhur me çështjen e personave të pagjetur, në kuadër të dialogut me Serbinë, konsiderojmë se kjo çështje është konsumuar rrjedhimisht dhe ezauruar në raportimin e Kryeministrit në Seancën e Kuvendit të mbajtur me 24 korrik 2020”, thuhet në përgjigjen e zyrës së zv.kryeministrit Selmanaj.
Këtë përgjigje e kishte publikuar kryetarja e këtij komisioni, Duda Balje. Ajo kishte thënë shkruar në profilin e saj çështja e të pagjeturve do të mbetet kryefjala e angazhimit të saj.
“Unë, dhe anëtarët e komisionit kemi lexuar emailin që keni dërguar ju, shqip ashtu siç ju e keni shkruar. Për mua çështja e të pagjeturve është dhe mbetet temë që duhet të jetë kryefjala e angazhimit tim dhe me këtë temë nuk bëj politikë”, kishte shkruar Balje.
Gjatë natës së mbrëmshme zëvendëskryeministri, Selmanaj, ka pasur një përplasje verbale me drejtorin e Gazetës Insajderi, Parim Olluri në emision Pressing, lidhur me çështjen e të pagjeturve në luftën e fundit në Kosovë.
Olluri kishte thënë se Bogujevci, një e mbijetuar nga masakra në Podujevë, ka të drejtë të flasë për çështjen e të pagjeturve, me ç’rast Selmanaj kishte replikuar duke thënë se: “jemi lodhur me gjëra të tilla”.
Kjo deklaratë e Selmanajt ka ngjallur reagim tek opinioni duke kërkuar edhe shkarkimin e tij.
Kryeredaktori i Gazetës Insajderi, Vehbi Kajtazi e ka quajtur të turpshme deklaratën e zëvendëskryeministrit të Qeverisë së Kosovës, Driton Selmanaj për çështjen e personave të pagjetur.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Tëitter, Kajtazi ka shkruar se Selmanaj duhet të shkarkohet nga posti i zëvendëskryeministrit, përcjell Inasjderi.
“Po të isha kryeministër, sot Driton Selmanajn jo që e kisha shkarku nga detyra, por e kisha përzënë prej objekti. Me thanë se “jemi lodhe me gjera te tilla”, dmth me rrëfimet e krimeve të Serbisë, është turpi ma i madh që mundet me dalë nga kabineti i Qeverisë së Kosovës”, ka shkruar Kajtazi.
Por gjatë ditës së sotme, Selmanaj ka shkruar një postim në profilin e tij në Facebook, duke thënë se deklarata e tij është duke u manipuluar.
Zëvendëskryeministri, Driton Selmanaj ka dal me një sqarim lidhur me deklaratën e tij të mbrëmshme ku tha se “jemi lodhur me gjëra të tilla”, lidhur me çështjen e personave të pagjetur.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Selmanaj ka shkruar se deklarata e tij është duke u manipuluar për qëllime politike.
“Nuk ka të ndalur hovi i manipuluesve dhe shpifësve për qëllime të ulta politike.Po e ndjej për obligim njerëzor që të jap sqarim për të gjithë ata që nuk kanë pas rastin ta shikojnë emisionin pressing mbrëmë në televizionin T7. Normalisht që ky sqarim nuk vlen për manipuluesit, shpifësit dhe argatët e së keqes në këtë vend”, ka shkruar Selmanaj. /Insajderi.org / KultPlus.com