26 Tetor, 2021 - 9:40 pm
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka mbushur me grafite objektin e Gjykatës Themelore në Pejë, në shenjë proteste për aktgjykimin që e dënoi me 8 muaj e 8 ditë burgim të akuzuarin për dhunimin seksual në grup të një 15-vjeçareje. Në vazhdën e reagimeve që kanë ardhur nga të gjitha anët, edhe ky grup ka vendosur të shprehë pakënaqësinë e saj me këtë vendim.
“Kjo gjykatë është armike e vajzave”, “Këtu vajzat e gratë dhunohen për s’dytsh”, janë parullat që janë shkruar me ngjyrë të kuqe në muret e kësaj gjykate.
KMVF e ka vlerësuar si ky aktgjykim do të thotë se drejtësia është duke punuar kundër grave e në favor të dhunës.
“Ky vendim, i cili vjen pas 10 vitesh nga krimi, nuk mund të lexohet ndryshe veç se se si një akt tjetër i dhunës së institucionalizuar ndaj vajzave dhe grave i cili nisë nga celula e familjes, për të marrë formën më të ashpër tek institucionet më të larta shtetërore.”
“Teksa shteti i Kosovës vazhdon të sillet e të veprojë kundër të gjitha ligjeve të cilat i ka nxjerrë vetë, ‘drejtësia’ është duke punuar kundër grave e në favor të dhunës e dominimit, duke amnistuar burrat kriminelë. Ndonëse Kodi Penal, sanksionon se dhunimi seksual është i dënueshëm me 5 deri në 20 vite burgim, Gjykata Themelore në Pejë, abuzon me diskrecionin e saj në kurriz të vajzave dhe grave.”/KultPlus.com