3 Qershor, 2024 - 3:37 pm
Kryeministri Edi Rama publikoi sot klasifikimin ndërkombëtar të muajit prill për rritjen e numrit të pasagjerëve nga ajri, krahasuar me vitin 2019 (para pandemisë), ku rritja e Shqipërisë vazhdon me ritmet më të larta.
“Shqipëria e rilindur turistike është një fakt gjithnjë e më botërisht i njohur”, u shpreh ai, teksa publikoi raportin e Këshillit Ndërkombëtar të Aeroporteve (ACI) për muajin prill 2024.
“Edhe prilli me rritje mbresëlënëse, sepse Shqipëria e rilindur turistike është një fakt gjithnjë e më botërisht i njohur, ndërkohë vetëm sytë e disa shqipove që nuk duan të shohin nuk e shohin, po më mirë kështu se na mbrojnë nga syri i keq”, deklaroi Rama.
Kryeministri u ndal dhe në efektet pozitive në ekonomi, nga shtimi i numrit të turistëve që po vizitojnë vendin. Por shtoi se fluksi i lartë rrit edhe krenarinë e dinjitetin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
“Ndërkohë rriten të ardhurat në ekonominë familjare të kujtdo që ka lidhje me zinxhirin e vlerës së industrisë së turizmit, rriten investimet në infrastrukturën e mikpritjes, rriten punësimi dhe pagat në sektorin e shërbimeve, rriten edhe të hyrat në arkën e shtetit pa rritur taksa, rritet edhe krenaria e dinjiteti i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare”, theksoi Rama.
Sipas statistikave të publikuara nga ACI mbi trafikun e pasagjerëve krahasuar me vitin 2019, për muajin prill të këtij viti Shqipëria shënon një rritje prej 260.8%./atsh/KultPlus.com