4 Prill, 2024 - 5:04 pm
Edicioni i dytë i “Klasikët n’Lissus” bëri bashkë 6 instrumentistë të shkollës 9-vjeçare “Besëlidhja” në Lezhë, të cilët përcollën emocione te publiku me një koncert të muzikës së dhomës.
Pjesë klasike nga kompozitorë të njohur u prezantuan nga instrumentistët e talentuar lezhjanë në skenën e Pallatit të Kulturës.
Një zhanër i ri ky për 6 nxënësit e shkollës së muzikës që punuan shumë për të prezantuar diçka të re dhe me emocione për artdashësit.
Për violinisten Melisa Figuri, një talent i ri që ka interpretuar edhe në skena të tjera, ky koncert përcolli emocione ndryshe për publikun.
“Ishte një gjë shumë emocionuese sepse duke e ditur se publiku mund të ketë thjesht një ditë normale, sot ne u çojmë atyre emocione krejt ndryshe”, tha ajo.
Ndërsa violinisti Fabio Markolaj u shpreh se është dashur shumë punë dhe studim për realizimin e këtij koncerti.
“Besoj se publiku është kënaqur me punën tonë”, tha ai.
Kryetari i bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, vlerësoi se këta artistë demonstrojnë se shkolla “Besëlidhja” po kthehet në një fidanishte që po rrit talente që po i japin një tjetër ritëm jetës kulturore të këtij qyteti.
“Këta fëmijë sonte na treguan se do jenë muzikantë të mëdhenj në të ardhmen dhe ne jemi krenarë për ta”, tha ai.
Prej pak vitesh muzika klasike ka filluar të gjallërohet në Lezhë./atsh/KultPlus.com