12 Korrik, 2019 - 1:00 pm
“Shqipëria është pjesë e një diskutimi të përbashkët mes 5 vendeve të rajonit, Bosnje Hercegovinë, Kosovë, Maqedonia e Veriut, Serbi, Mali i Zi, që synon përfshirjen e saj në hartën e destinacioneve turistike të rajonit”, deklaroi sot, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi në aktiviteti e organizuar nga RCC në Tiranë.
Klosi tha se për ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, megjithëse Shqipëria është pjesë e një projekti të përbashkët të financuar nga RCC (The Regional Cooperation Council), për zhvillimin e turizmit dhe promovimin e saj si destinacion i qëndrueshëm në rajon dhe Europë, vendi ynë do të kishte sukses nëse do të futej në treg me një ofertë të përbashkët turistike.
“Mendoj që jo vetëm në rajonin e Mesdheut, por të gjithë rajonet kanë filluar të mendojnë si destinacione të përbashkëta pasi tregu i turizmit ka ndryshuar shumë, tregu i atyre që udhëtojnë ka ndryshuar shumë, tregu i atyre që përfitojnë nga turizmi ka ndryshuar shumë dhe gjithmonë e më shumë ofertat janë bërë komplekse. Prandaj unë do të doja shumë që t’ju nxisja të gjithëve ju që jeni këtu për të qenë pjesë e ideve të përbashkëta. NE kemi shumë nevojë për ide, për ta parë ndryshe mënyrën si është zhvilluar turizmi deri tani por natyrisht edhe turizmi së bashku me mbrojtjen e mjedisit”, tha ministri Klosi.
Më tej Ministri Klosi shtoi se për këtë arsye, ministri kërkoi asistencën e shoqërisë civile, për të ndihmuar me ide smart, projekte, që nxisin reflektimin e shoqërisë, veçanërisht të intelektualëve të fushës, për përfshirjen e tyre në gjetjen e një ekuilibri mes mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimit të turizmit.
Ne vijim Klosi shtoi se “Dua të jem mbase i pari që i bëj kritikës vetes dhe mënyrës së zgjedhur sesi ne akoma i menaxhojmë gjërat për sa i përket mbrojtjes së mjedisit dhe të pasurive tona natyrore. Ndaj në këtë kuadër nuk është vetëm ky projekt që është shumë i rëndësishëm, është një projekt që krijon dhe jep grande për shoqërinë civile, për NGO-të, për njerëzit, intelektualët e fushës, në vlera të caktuara financiare të cilat nuk do të doja t’i përmendja pasi nuk mendoj që paratë janë më e rëndësishmja pro janë idetë më të rëndësishme. Edhe ne si institucione shtetërore përpiqemi të jemi pjesë e rrjetit dhe në këtë konkurrencë gjithmonë e më agresive që po bëhet qoftë edhe në fushën e projektit, pasi duhet ta kuptojmë që konkurrojmë me intelektualë nga 6 vendet e rajonit”, tha ai.
“Jemi në konkurrencë të hapur, kush di të mbrojmë më mirë projektet, kush di të paraqesë projekte që influencojnë më shumë sesa një shtet, kush di të lobojë me partnerë e intelektualë të rajonit në përgjithësi për të pasur projekte sa më të ideuara”, tha ministri Klosi, i cili premtoi mbështetje 100% të institucioneve shtetërore dhe agjencive në varësi, që do të mund të shfrytëzohen si laboratorë për çdo projekt dhe ide, që mbrojnë mjedisin dhe nxisin zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm. / atsh/ KultPlus.com