19 Korrik, 2020 - 1:00 pm
Komisioni për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut vlerëson se arsyetimi i autoriteteve shëndetësore që një i vdekur me Covid-19 ka pasur sëmundje të tjera shoqëruese, shkakton huti në opinion. Sipas tyre, nuk po përcaktohet shkaku i vërtetë i vdekjes.
Ndër të tjera, në një komunikatë, KMDLNj thekson se masat kufizuese të marra shkelin të drejtat elementare të njeriut që nga liria e lëvizjes e deri të e drejta për punë.
Në anën tjetër përmendet edhe mënyra e testimeve, ku thuhet se është e papranueshme dhe e dënueshme nëse nuk bëhen teste kur në një familje ka të prekur nga Covid-19, ndërsa anëtarët që jetojnë me ta nuk iu bëhen testet.
Për më shumë lexoni komunikatën e plotë:
Në mediat elektronike të Kosovës kishte të intervistuar që pohonin se, përkundër kërkesës për t’ua bërë testin për Covid-19 për faktin se kishin dyshime, se kishin anëtarë të familjes të prekur nga ky virus, kishin sëmundje kronike që i bëjnë lehtë të cenueshëm apo kishin moshë të shtyrë, autoritetet shëndetësore i kanë refuzuar me arsyetimin se, ose nuk ka teste të mjaftueshme, ose nuk janë në listën e prioriteteve. Opinioni në Kosovë për çdo ditë po informohet për rritjen e numrit të të prekurve nga virusi sikur që edhe numri i rasteve që po përfundojnë me fatalitet dukshëm është rritur. Arsyetimi i autoriteteve shëndetësore se i vdekuri nga Covid-19 ka patur sëmundje tjera përcjellëse, të rënda dhe kronike, shkaktojnë huti në opinion aq më parë që nuk po përcaktohet shkaku i vërtetë i vdekjes.
Në përpjekje për ta luftuar pandeminë e shkaktuar nga Covid-19, janë ndërmarrë disa masa kufizuese që, në jo pak raste shkelin të drejtat elementare të njeriut që nga liria e lëvizjes e deri te e drejta për punë.
KMDLNj mirëkupton autoritetet kosovare se, për shkak të mungesës së testeve nuk mund ta bëjnë testimin në shkallë të gjerë e që do të ishte mënyra më e mirë dhe më efikase për luftimin e pandemisë sikur edhe për ndërmarrjen e masave parandaluese. Mirëpo, në anën tjetër për KMDLNj është e papranueshme, e pakuptueshme dhe e dënueshme, si nga aspekti i të drejtave të njeriut ashtu edhe atij ligjor nëse nuk bëhen testet, madje të detyrueshme në rastet si:
Këto kategori të qytetarëve të Kosovës duhet të kenë prioritet absolut gjatë testimit kurse të tjerët të cilëve testi iu duhet për të lëvizur jashtë vendi, për biznes apo arsye tjera e që nuk bëjnë pjesë në kategoritë e sipërpërmendura, me rrezikshmëri të lartë të infektimit si dhe me kapacitet të madh për të infektuar të tjerët, mund ta bëjnë testimin ne institucionet shëndetësore private dhe jo ta ngarkojnë sistemin shëndetësorë publik.
KMDLNj mendon se pikërisht përzgjedhja diskriminuese, e jo në bazë të nevojës së domosdoshme për testim, ka shkaktuar dhe po shkakton rritjen e numrit të të prekurve sikur edhe rritjen e numrit që po përfundon me fatalitet andaj kërkon transparencë dhe monitorim të këtij procesi si dhe qasje në lista, nëse ka të tilla, pas së cilave ndërmerren veprimet. Qytetarët e Kosovës, shumica e tyre nuk kanë mundësi të paguajnë testet prandaj këto duhet të sigurohen falas përjashtuar ata që e kanë këtë mundësi.
KMDLNj kërkon që të rritet numri i testimeve kurse nga Qeveria e Kosovës kërkon të ndajë mjete shtesë për këtë qëllim sikur edhe për punëtoret shëndetësorë.
KMDLNj përkrah kërkesat e drejta e grupeve të cenueshme e që i janë drejtuar KMDLNj-së për testim në bazë të nevojave e jo në baza diskriminuese. Mbrojtja cilësore shëndetësore, për të gjithë qytetarët është e drejtë e njeriut dhe si e tillë duhet të respektohet.