8 Shtator, 2021 - 2:30 pm
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut i ka bërë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë që të shtohet numri i Qendrave të Vaksinimit në mënyrë që të shpërndahet fluksi në Qendrën e Vaksinimit në sallën “1 Tetori”, por edhe që të lehtësohet qasja e qytetarëve në qendra të tjera më të afërta për qytetarë.
Në një komunikatë për media, KMDLNJ bën thirrje që në këtë kohë të pranohen edhe qytetarët, të cilët mund të mos kenë bërë terminin online për vaksinim.
“Duhet të kemi parasysh që ka një numër të caktuar të qytetarëve të Kosovës të cilët nuk kanë qasje në përdorimin e internetit apo pajisjeve të ngjashme, por edhe një pjesë të cilët kur mund ta kenë të caktuar terminin mund të mos e kenë mundësinë për të shkuar në qendër të vaksinimit për shkak të angazhimit në punë, e veçanërisht në sektorin privat”, thuhet në komunikatë.
KMDLNJ kërkon që në këtë kohë të mos jetë kriter i domosdoshëm termini për vaksinim, por të vaksinohen të gjithë qytetarët të cilët paraqiten në qendrat e vaksinimit.
Në këto kohë kur në Kosovë, por edhe gjithë botën është përhapur valë e re e infektimit me virusin Covid 19 po bëhet thirrje për vaksinim masiv të qytetarëve.
Komunikata e plotë:
KMDLNj vlerëson lartë organizimin dhe korrektësinë në Qendrat e Vaksinimit në gjithë vendin, duke përfshirë një rregull të paparë si në orientimin e qytetarëve në këto Qendra për procedurat por edhe shpejtësinë në procedimin e të gjithë procesit të vaksinimit. Është për t’u vlerësuar që qytetarëve nuk u bije që të presin kohë të gjatë në këto qendra dhe por edhe që janë shtuar numri i kabinave ku po bëhet injektimi i vaksinave. Gjithashtu, është angazhuar një numër i madh i stafit shëndetësorë por edhe i aktivistëve të Kryqit të Kuq të Kosovës për procedim të shpejtë të qytetarëve. E gjithë procesi por edhe siguria po garantohet nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
KMDLNj i bënë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë që të shtohet numri i Qendrave të Vaksinimit në mënyrë që të shpërndahet fluksi në Qendrën e Vaksinimit në Sallën 1 Tetori, por edhe që të lehtësohet qasja e qytetarëve në qendra të tjera më të afërta për qytetarë.
Gjithashtu, KMDLNj bënë thirrje që në këtë kohë të pranohen edhe qytetarët të cilët mund të mos kenë bërë terminin online për vaksinim. Duhet të kemi parasysh që ka një numër të caktuar të qytetarëve të Kosovës të cilët nuk kanë qasje në përdorimin e internetit apo pajisjeve të ngjashme, por edhe një pjesë të cilët kur mund ta kenë të caktuar terminin mund të mos e kenë mundësinë për të shkuar në Qendër të Vaksinimit për shkak të angzhimit në punë, e veçanërisht në sektorin privat.
Prandaj, KMDLNj kërkon që në këtë kohë të mos jetë kriter i domosdoshëm termini për vaksinim, por të vaksinohen të gjithë qytetarët të cilët paraqiten në Qendrat e Vaksinimit./KultPlus.com