16 Janar, 2024 - 9:02 am
DRTK Shkodër, në vazhdën e prezantimit të pasurive arkeologjike të arealit verior, sjell të dhëna për Kodrën e Akrolisit që vendasit e njohin si e T’Shëlbuemit.
Kodra rrëzohet drejt perëndimit, drejt pllajës që pararend Akropolin e Lisit, me pjerrësi tepër të madhe. Në anët e tjera shpatet e zbresin me butë në fushë. Nga maja ka një horizont të gjerë që nga liqeni i Shkodrës e deri në Durrës.
Akrolis/Lis përmendet në shkrime të lashta nga Polybi: “Filipi V pasi arriti në vend vuri re se Lisi ishte përforcuar shumë mirë… nga natyra dhe dora e njeriut. Akrolisi që ishte pranë kishte lartësi aq të madhe dhe ishte aq i fortë, sa që dhe një sy të vetëm të hidhte njeriu do të kuptonte se pushtimi i tij ishte i pamundur”.
Mali i Shëlbuemit, përfundon me një syprinë kurrizore 300 x 60 m. Ky konfiguracion kushtëzoi trasenë e murit i cili ndjek skajet e kurrizit duke rrethuar një sipërfaqe prej 1,50 hektarësh. Në trasenë e mureve dallohen dy faza nga të cilat e para e periudhës I të hekurit. Muret e fazës së I i përmbahen me valëzime të lehta të njëjtit reliev. Muret, 3,20 m të gjerë, përbëhen nga dy këmishë me blloqe prej guri gëlqeror të thyer, por të palatuar, në formë paralelopipedi dhe mbushja e mesit, me gurë të papunuar dhe çakëll./ atsh / KultPlus.com