27 Janar, 2021 - 1:14 pm
Argumentim për një strategji gjithëpërfshirëse për t’u marrë me të kaluarën, që e ka në qendër qytetarin
Nga Kathelijne Schenkel
Qytetarët e Kosovës me përkatësi të ndryshme etnike besojnë se është koha që Kosova të dalë me një strategji për një qasje kombëtare dhe gjithëpërfshirëse për t’u marrë me të kaluarën. Megjithatë, secili grup i ka prioritetet e veta që jo domosdo përputhen. Të gjitha shqetësimet duhet të adresohen në një strategji gjithëpërfshirëse në mënyrë që Kosova të mund të shkojë drejt një të ardhmeje paqësore. Këto janë të gjeturat nga hulumtimet e kryera nga shoqëria civile e Kosovës.
Pas 21 vitesh nga konflikti i dhunshëm, Kosova ende nuk ka kornizë gjithëpërfshirëse për t’u marrë me të kaluarën e saj, gjersa shoqëria kosovare vazhdon të vuajë nga çështjet e trashëguara pazgjidhura të luftës 1998-99 dhe pasojat e saj. Çështjet e pazgjidhura të konfliktit të dhunshëm në Kosovë vazhdojnë t’a dominojnë diskursin politik në Kosovë dhe në Serbi. Kjo po vazhdon t’a pengojë mundësinë e qytetarëve të Kosovës për t’u pajtuar me të kaluarën dhe për të shkuar drejt një të ardhmeje paqësore. Më e rëndësishmja, këto të trashëguara vazhdojnë të shërbejnë si burim grindjesh në mes të grupeve etnike në Kosovë dhe shpesh përdoren për agjenda politike. Tash është koha e duhur për t’a prishur këtë rreth vicioz të së kaluarës.
Gjatë vitit 2020, organizatat e shoqërisë civile INTEGRA, Iniciativa e Re Sociale dhe PAX, me mbështetjen e një koalicioni më të gjerë të shoqërisë civile, i kanë kryer dy studime hulumtuese mbi nevojat e sektorëve të ndryshëm në shoqëri për trajtimin e asaj që është trashëguar nga periudha e dhunshme. Studimi i parë i ka shqyrtuar të gjitha përpjekjet e mëparshme për t’u marrë me të kaluarën në Kosovë dhe i ka identifikuar boshllëqet aty. Deri më tani, kemi qenë dëshmitarë të iniciativave që kryesisht kanë qenë specifike e sektoriale dhe të njëpasnjëshme, si dhe të rrugëve institucionale e ligjore, për t’i adresuar veçmas çështjet e ndryshme në lidhje me konfliktin. Pjesa më e madhe e vëmendjes i është kushtuar gjykimeve të krimeve të luftës të drejtuara nga gjykatat e ndërkombëtarizuara, hibride dhe nacionale në Kosovë dhe në Serbi. Fokusi dominant në gjykime të tilla ka ndikuar në aspekte të tjera të rëndësishme të ballafaqimit me të kaluarën, si kërkimi i së vërtetës dhe dokumentimi, përkujtimet, dëmshpërblimet dhe kompensimi, si dhe njohja dhe mbështetja për të gjitha viktimat dhe të mbijetuarit e konfliktit, pavarësisht nga identiteti dhe statusi i tyre. Një numër i vogël i organizatave të shoqërisë civile kanë qenë në ballë të promovimit të qasjeve qytetare dhe gjithëpërfshirëse të të treguarit të së vërtetës, dokumentimit dhe mbështetjes së viktimave dhe të mbijetuarve, duke shtuar këtu edhe avokimin për pajtim etnik. Megjithatë, këto nuk kanë çuar ende në një transformim të qëndrueshëm pozitiv të shoqërisë. Studimi më i fundit e thekson atë se çka vetë e konsiderojnë grupet e ndryshme të qytetarëve si të rëndësishme për t’u trajtuar, në mënyrë që të ecet përpara. COVID-19 e ka kufizuar shtrirjen e hulumtimit, por megjithatë, 156 persona janë bërë bashkë në 10 seanca të grupeve të fokusit, gjersa janë mbajtur edhe intervista individuale.
KUTIA: [drejtësia tranzicionale nënkupton një sërë masash dhe veprimesh për të sjellë drejtësi për viktimat dhe të mbijetuarit e një konflikti dhe zakonisht përfshinë gjykime për krime lufte, gjetje të së vërtetës, dëmshpërblime dhe kompensime dhe garanci të mos-përsëritjes]
Studimi ka shpalosur se kuptimi i drejtësisë tranzicionale në Kosovë është thellësisht i ndërthurur me identitetin etnik dhe duke qenë kështu, nuk ka konsensus në mes të grupeve të ndryshme etnike se si të trajtohen çështjet e trashëguara nga e kaluara. Ekziston një predispozitë për t’i reduktuar nevojat për procese të drejtësisë tranzicionale në drejtësi që janë vetëm mono-etnike dhe një-dimensionale. E vërteta perceptohet ndryshe nga secili grup etnik dhe të gjithë janë të predispozuar t’a kërkojnë të
vërtetën, përkujtimin dhe dokumentimin e së kaluarës me pikëpamje mono-etnike. Ende ka mungesë të madhe të të dhënave të besueshme mbi krimet e para luftës, të luftës dhe të pasluftës dhe mbi abuzimet serioze të të drejtave të njeriut. Si rezultat, ka shumë pak ndjeshmëri dhe kuptim të perspektivave dhe përvojave të konfliktit. Në përgjithësi, të gjitha grupet i konsiderojnë gjurmët e krimeve të luftës si të rëndësishme për t’u marrë me të kaluarën, por perceptimi i përgjithshëm i performancës së gjykatave të krimeve të luftës është negativ dhe ekziston bindja se grupi etnik përkatës është shënjestruar në mënyrë selektive dhe se shumë autorë të dyshuar të krimeve janë të lirë. Secili grup ka edhe shqetësime të veçanta socio-ekonomike në lidhje me periudhën e para luftës ose të pasluftës. Për më tepër, ekziston edhe realiteti i skenave politike në Serbi dhe në Kosovë, që janë të dominuara nga politikanë apo luftëtarë të kohës së luftës, të cilët po i përjetësojnë narrativat e njëanshme etno-nacionaliste.
Më konkretisht, për shqiptarët e Kosovës, zgjidhja e çështjeve të pazgjidhura, të tilla si njohja e fatit të personave të zhdukur, ndjekja penale e autorëve të krimeve të luftës, pretendimet për dëmshpërblim dhe kompensim të dëmeve të luftës, si dhe forcimi i shtetësisë së pavarur duke e bindur Serbinë t’a njohë pavarësinë e Kosovës, janë prioritete. Në anën tjetër, për serbët e Kosovës, drejtësia tranzicionale shihet problematike pasi ata nuk besojnë se kjo do të sjellë drejtësi për viktimat e tyre, ose se do të kontribuonte pozitivisht në marrëdhëniet etnike të tanishme dhe të ardhshme në Kosovë. Ata përqendrohen në periudhën e pas konfliktit dhe e trajtojnë hapësirën e kufizuar për komunitetin serb në Kosovë për t’i ushtruar të drejtat e tyre politike, socio-ekonomike dhe gjuhësore, përfshirë të drejtën e lëvizjes së lirë dhe kthimin në vendbanimet e para luftës. Për bashkësitë e tjera më të vogla etnike, drejtësia tranzicionale mbetet aspiruese, pasi e kanë një përshtypje që komunitetet e tyre nuk e kanë marrë vëmendjen dhe mbështetjen e merituar në kërkimin e së vërtetës dhe drejtësisë për krimet e luftës në të kaluarën dhe as nuk kanë përfituar nga skema të ndryshme socio-ekonomike të pasluftës, siç kanë bërë bashkësitë tjera dominuese.
Të gjeturat e hulumtimit tregojnë se nuk ka konsensus dhe se ka pak bashkëndjesi në mes të grupeve etnike se si të trajtohet ajo që është trashëguar nga e kaluara, si të bëhet angazhimi në përvojat dhe perspektivat e bashkësive tjera etnike dhe si të bëhet pranimi i tyre dhe se si të shkohet para dhe si të parashikohet një e ardhme e përbashkët. Krahas kësaj, qytetarët e kanë të rrënjosur një perceptim negativ mbi gatishmërinë dhe kapacitetet e bashkësisë ndërkombëtare, autoriteteve serbe dhe Qeverisë së Kosovës për t’a promovuar drejtësinë dhe për t’a luftuar mos-ndëshkimin për krimet e luftës dhe abuzimet serioze të të drejtave të njeriut në të kaluarën. Gjersa këto janë sfida të mëdha, studimi e shpalosi shprehjen e nevojës nga shumë pjesëmarrës për një strategji gjithëpërfshirëse e cila i merr parasysh shqetësimet dhe nevojat e të gjithë individëve dhe grupeve të prekura nga konflikti i dhunshëm, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike ose shtresës sociale.
Argumenti për një qasje gjithëpërfshirëse për t’a trajtuar të kaluarën është i fortë. Një strategji kombëtare gjithëpërfshirëse është rruga e vetme për të siguruar që të mos shmanget e kaluara dhe që një masë e drejtësisë t’i ofrohet të gjitha bashkësive të prekura, që të dalë e vërteta në shesh dhe që brezat e rinj të mos mbahen pengje të së kaluarës, por të shkojnë drejt një shoqërie paqësore. Vetëm përmes një procesi nga poshtë-lart, që e ka në qendër qytetarin dhe gjithëpërfshirjen, ka të ngjarë që një strategji e ardhshme dhe veprimi institucional të gëzojnë legjitimitet të gjerë publik dhe të bëjnë një ndikim pozitiv në mbylljen e kapitujve të së kaluarës dhe hapjen e kapitujve të rinj për një të ardhme më të mirë. Në këtë mënyrë, studimi i bën rekomandimet si në vijim:
1. Strategjia e ardhshme duhet t’a marrë parasysh që drejtësia tranzicionale ka kuptime të ndryshme nga bashkësitë etnike të ndryshme në Kosovë dhe duhet të hartohet nga poshtë-lart, duke i përfshirë të gjitha komunitetet e prekura. Kjo kërkon që ajo të projektohet përmes një procesi të pjesëmarrjes dhe që ka në qendër qytetarin, gjë që siguron pronësi vendore dhe përfshirje në të gjithë procesin e drejtësisë tranzicionale.
2. Strategjia e ardhshme duhet të shërbejë si platformë për shpalosjen e shumë anëve të së vërtetës, që drejtësia të vihet për viktimat mbi një bazë jo-selektive dhe jo-etnike dhe që të drejtat e thirrura të shpërndahen në një proces të drejtë dhe gjithëpërfshirës. Strategjia duhet të integrojë shtylla të ndryshme të drejtësisë tranzicionale në mënyrë që nevojat e komuniteteve të prekura të adresohen në mënyrë të tërësishme dhe gjithëpërfshirëse.
3. Për t’u siguruar që një strategji është zbatuar në praktikë, ekziston nevoja për një mekanizëm institucional, i cili i bashkon nismat dhe mekanizmat ekzistues të drejtësisë tranzicionale në Kosovë. Gjasat për një strategji të ardhshme të suksesshme varen nga konsensusi në mbarë vendin për rëndësinë që të bëhet prioritet politikëbërja dhe zbatimi i drejtësisë tranzicionale dhe rrjedhimisht zotimi nga të gjitha partitë politike, grupet etnike, grupet e shoqërisë civile dhe komunitetet e prekura, si dhe misionet ndërkombëtare dhe donatorët në Kosovë.
4. Institucionet shtetërore dhe organet gjyqësore duhet të punojnë ngushtë me komunitetin e shoqërisë civile dhe mediat për të promovuar raportim të saktë dhe të bazuar në fakte, për çështje që kanë të bëjnë me luftën. Ekziston një nevojë urgjente për të hartuar programe edukative dhe informuese të cilat i rrisin njohuritë e publikut të gjerë mbi drejtësinë tranzicionale.
5. Dialogu i udhëhequr nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës duhet t’i adresojë çështjet e ngutshme dhe të pazgjidhura për t’u marrë me të kaluarën dhe një marrëveshje eventuale duhet t’i marrë parasysh nevojat dhe perspektivat e të gjitha komuniteteve të prekura.
Ky artikull mbështetet në studimet ‘Demokratizimi i Drejtësisë Tranzicionale Drejt një Infrastrukture Diskutuese për Trajtimin e së Kaluarës në Kosovë’ (maj 2020) dhe ‘Perspektiva e Qytetarëve për një Strategji të Ardhshme për Drejtësinë Tranzicionale në Kosovë’ (Janar 2021), që të dyja nga autorët Dr. Gëzim Visoka dhe Besart Lumi; mundësuar nga Integra, NSI, PAX dhe mbështetur nga Platforma e Njohurive mbi Sigurinë dhe Sundimin e Ligjit (Holandë) dhe Ambasada e SHBA-së në Prishtinë.