1 Nëntor, 2021 - 3:14 pm
Presidenti Ilir Meta gjatë qëndrimit në Itali, ka zhvilluar edhe një vizitë në Kolegjin Ortodoks në Romë.
Meta shprehet se në këtë Kolegj, prej vitit 1576 janë arsimuar dhe edukuar klerikët, si dhe disa nga figurat më të ndritura të komunitetit tonë të dashur arbëresh.
“Një nga studentët e këtij Kolegji, ka qenë Lekë Matranga, i cili me krijimin e tij të parë në gjuhën shqipe, “Mbësuame dhe Krështerë” shënoi zyrtarisht fillimin e letërsisë arbëreshe”, theksoi Meta.
“Giorgio Cortese di Lungro dhe të gjithë peshkopët arbëreshë si Gabriele De Marchis, Mons. Stamati, Mons. Lupinaçi dhe Mons. Oliverio, Stefano e Samuele Rodotà, si dhe Demetrio Camarda janë arsimuar në këtë institucion”, shtoi Meta.
“Kujtuam gjithashtu të Lumin Josif Papamihali të Elbasanit, i cili ndoqi në këtë Kolegj kurse filozofike dhe teologjike, për të kryer më pas, më 1 dhjetor 1935, Liturgjinë e tij të parë Hyjnore, në kishën arbëreshe të Shën Thanasit”, nënvizoi Meta.
“Kënaqësi e veçantë, që në fondin e pasur të bibliotekës së këtij Kolegji të shihja kopjet origjinale të disa prej veprave të një varg personalitetesh të ndritura të Rilindjes tonë Kombëtare, si Jeronim de Rada, At Gjergj Fishta e shumë të tjerë”, përfundoi Meta reagimin e tij./atsh/KultPlus.com