22 Tetor, 2024 - 3:16 pm
Biblioteka Kombëtare në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës kanë çelur ekspozitën me Koleksionet Veneciane që sjellin në dritë thesaret e fshehura të botimeve të Venedikut.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga kjo ekspozitë, ku botimet e Venedikut bëhen të njohura për herë të parë për publikun shqiptar.
“Në çdo libër dhe në çdo hartë qëndron një kapitull i pazbuluar i rrugëtimit tonë të përbashkët me Mesdheun. Jo vetëm fakte, por shpirti i një historie që bashkon brigjet, duke na kujtuar se deti ka qenë gjithnjë urë, jo ndarje”, u shpreh Rama.
Në këtë ekspozitë, që është njëkohësisht ndër më të mëdhatë e më të rëndësishmet të organizuara nga BKSH-ja, janë ekspozuar rreth 600 libra dhe harta origjinale të shtypura në Venecia, mes viteve 1400-1800.
Pjesa më e madhe e tyre ekspozohen për herë të parë në publik.
Ekspozita është kuruar nën kujdesin e kuratores shkencore Elisabetta Sciarra, drejtore e Bibliotekës Kombëtare Qendrore të Firences, një prej bibliotekave më prestigjioze dhe më të vjetra në Evropë.
Ekspozita e koleksioneve veneciane do të jetë e hapur çdo ditë për vizitorët nga 21 tetori, deri më 4 nëntor./atsh/KultPlus.com