2 Korrik, 2021 - 6:28 pm
Këtë fundjavë në shëtitoren e Pogradecit dhe buzë liqenit, do të ekspozohen për herë të parë mjetet e koleksionit historik shqiptar Retro.
Vizita nis me tinguj të bukur muzike Jazz & Swing, të shtunën që prej paradites e do vijojë deri në orët e vona të mbrëmjes. Të dielën, përgjatë qytetit në brigjet e Ohrit, do të vazhdojë parada e mjeteve drejt Parkut Kombëtar të Drilonit.
Këtë vit, për ta shijuar edhe më shumë sezonin turistik, Retro mbërrin me flotën e mjeteve të çmuara, të cilave u janë bashkuar për herë të parë edhe koleksionistë nga Shkupi dhe Ohri, që udhëtojnë drejt Shqipërisë.
Aktivitetet RETRO që sjellin kulturën e koleksionimit, të restaurimit dhe të ruajtjes së vlerave të mjeteve historike, vijnë shpesh me një program artistik, të ftuar, DJ e balerina duke sjellë festë, kërcime, interes nga çdo brez e moshë dhe duke krijuar një atmosferë të hareshme për qytetarët e vendit dhe turistët.
Në bashkëpunim me bashkinë Pogradec, shfaqja do të jetë në amfiteatrin e Odeon me grupin “Albanian Jazz Society” të cilët do t’ia shtojnë magjinë dhe elegancën atmosferës së liqenit me muzikë të pakohë.
Të apasionuarit, kalimtarët, turistët e të gjithë kuriozët pas klasikes do të kenë mundësinë t’i shohin dhe të njihen më nga afër me historitë dhe pasionin e madh të koleksionuesve.
Retro do të jetë aty me dëshirën për të shpërndarë këtë pasion e duke e bërë fundjavën një event tejet interesant e për të mos u humbur. /atsh/ KultPlus.com